Çfarë ka ndodhur?

Aktivistë, gazetarë dhe politikanë në të gjithë botën janë përgjuar përmes telefonit, u raportua së fundmi, duke ngritur shqetësimet për mosrespektimin e privatësisë dhe abuzimin me të drejtat e njeriut. Përdorimi i softuerit, Pegasus, i zhvilluar nga grupi izraelit NSO, u raportua nga Washington Post, Guardian, Le Monde dhe media të tjera që bashkëpunuan në një hetim për marrje të të dhënave.

Përgjimi përfshin një listë me 50,000 numra telefoni që besohet se janë identifikuar si njerëz me interes nga klientët e NSO që nga viti 2016, thanë raportimet.

Çfarë është Pegasus?

Pegasus është një softuer përgjimi i krijuar nga firma izraelite NSO Group që mund të instalohet në mënyrë të fshehtë te celularët që përdorin shumicën e versioneve të iOS dhe Android. Zbulimet sugjerojnë që programi aktual Pegasus është në gjendje të shfrytëzojë të gjitha versionet e fundit të iOS deri në iOS 14.6.

Çfarë mund të bëjë Pegasus?

Pegasus është ndoshta softueri i përgjimit më i fuqishëm i krijuar ndonjëherë nga një kompani private. Sapo vendoset në telefon, Pegasus mund ta mbikëqyrë pajisjen gjatë gjithë kohës – mund të kopjojë mesazhet, të regjistrojë thirrjet, të marrë fotot apo të aktivizojë fshehurazi kamerën dhe mikrofonin. Potencialisht mund të përcaktojë se ku ndodhet një person, ku ka qenë dhe kë ka takuar.

Të dhëna të besueshme tregojnë se ky softuer mund të merret edhe pa klikime gjëkundi, në sulme të ashtuquajtura “zero klik”, të cilat nuk kërkojnë ndërveprim të përdoruesve.

Hulumtuesit dyshojnë se versionet më të fundit të Pegasus instalohen vetëm në memorien e përkohshme të telefonit, që do të thotë se sapo telefoni ndizet, pothuajse të gjitha gjurmët e programit zhduken.

Kush e përdor?

NSO nuk tregon hapur kush e ble softuerin, por faqja e internetit e kompanisë thotë se produktet përdoren ekskluzivisht “nga inteligjenca qeveritare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit për të luftuar krimin dhe terrorin”.

Avokatët e NSO pretenduan se raporti teknik ishte hamendësim, duke e përshkruar atë si “një përpilim të supozimeve spekulative dhe të pabazuara”. Sidoqoftë, ata nuk kundërshtuan asnjë nga gjetjet ose konkluzionet specifike.

Një nga sfidat më domethënëse që Pegasus u paraqet gazetarëve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut është fakti që softueri shfrytëzon dobësi të pazbuluara, që do të thotë se edhe përdoruesi i telefonit më i ndërgjegjshëm për sigurinë nuk mund të parandalojë një sulm. Praktikisht, Pegasus është “i pakapshëm”.

Guardian, France24, TechCrunch

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb