Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se një nga prioritetet kryesore të programit të PD-së do të jetë mbështetja e familjeve dhe rritja demografike e vendit.

Duke e cilësuar shpopullimin si “plagën më të madhe të Shqipërisë sot”, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndjekur një politikë të qëllimshme për zbrazjen e vendit. “Edi Rama do të hyjë në histori si Çubrilloviçi shqipfolës, ose më mirë si njeriu që zbatoi me fanatizëm platformën e Çubrilloviçit mbi shqiptarët,” tha ai.

Në këtë kuadër, Berisha njoftoi disa masa për të nxitur rritjen e lindshmërisë dhe për të mbështetur familjet. “Do të ketë bonuse për fëmijën e parë dhe të dytë, të cilat do të vendosen pas tre muajve të parë. Ndërsa fëmija i tretë do të paguhet nga shteti nga lindja deri në moshën 23-vjeçare,” deklaroi ai.

Një tjetër pikë kyçe e programit të PD-së do të jetë kthimi i emigrantëve. “Do të bëhet gjithçka për kthimin e emigrantëve në vend,” premtoi Berisha, pa dhënë detaje specifike mbi hapat konkretë për realizimin e kësaj nisme.

Sipas tij, programi i PD-së do të sigurojë që familja shqiptare të luajë të gjitha funksionet e saj në një shoqëri të lirë dhe të krijojë kushte për një Shqipëri më të qëndrueshme demografikisht.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb