Nga: Erjola Jata*
TIRANË- Ashtu sikurse kishte rekomanduar FMN, qeveria ka parashikuar për vitin e ardhshëm një reduktim të shpenzimeve buxhetore, të cilat priten të jenë 1% më pak se viti 2015. Synimi kryesor është ulja e borxhit publik dhe ruajtja e deficitit.
Në projekt -buxhetin e 2016-ës, qeveria ka ulur ndjeshëm fondet për arsimin dhe infrastrukturën, ndërkohë që për vetë administratën kryeministrore është treguar bujare. Kështu sipas tabelave të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, qeveria ka shtuar shpenzimet për aparatin kryeministror me mbi 3. 1 miliardë lekë nga 715 milionë lekë të buxhetit të rishikuar të këtij viti. Prioritet për 2016-ën i jepet Ministrisë së Bujqësisë me një rritje të fondeve me 24% ose 5,2 miliardë lekë, krahasuar me këtë vit. Këto fonde do të synojnë zgjerimin e skemave mbështetëse për fermerët, për përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe formalizimin e sektorit të peshkimit. Edhe ministria e Ahmetaj do të ketë në buxhetin e saj 42% më shumë fonde, kjo nisur edhe nga shtimi i numrit të strukturave pranë Ministrisë së Ekonomisë. Mi 50% janë rritur edhe fondet për Ministrinë e Mjedisit, 19% për atë të Kulturës dhe 20% për Ministrinë e Drejtësisë.
Por qeveria nuk ka ndjekur të njëjtin vlerësim për dy ministritë e tjera, atë të Transporteve dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Arsimit. Sipas shpenzimeve të parashikuara për vitin e ardhshëm fondet për infrastrukturën janë tkurrur 32% krahasuar me fondet e parashikuara në buxhetin e rishikuar të këtij viti. Ndërkohë fondet për arsimin shkojnë në 3,5 miliardë lekë apo 10% më pak se ky vit, duke shënuar nivelin më të ulët historik për këtë sektor.
Nuk preken fondet për Ministrinë e Shëndetësisë të cilat qëndrojnë në po të njëjtat nivele, ndërsa janë shkurtuar me 20% shpenzimet për Ministrinë e Integrimit.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)
