Vetting

Berberi mbuloi mangësitë e tunelit të Gjoka Konstruksion? Greku deponoi në SPAK
Qindra miliona euro kanë avulluar prej tunelit të Llogarasë dhe nuk dihet ku kanë përfunduar, por problemi më serioz i paevidentuar më parë ngelet siguria fizike dhe rrugore në këtë segment.

Nga deponimet e drejtorit grek të kompanisë së huaj “Hill International”, e cila ka fituar tenderin e supervizimit me kompaninë e ortakut të ish drejtorit të ARRSH-së Berberi, Valter Begaj kanë dalë në dritë dëshmi që mund të cënojnë sigurinë publike.

“Evis… kontraktori duhet të kuptojë se projekti nuk është thjesht një “vrimë”, por është një tunel i cili duhet të ndërtohet sipas specifikimeve dhe praktikave ndërkombëtare në respekt ABSOLUT për çështjet e SIGURISË…” shkruan Kirkinezis, përfaqësues i “Hill International NV” ish drejtorit të ARRSH-së Evis Berberit.

Sipas avokatit Leonard Karaj, akoma më shqetësues është fakti që nuk kemi asnjë informacion për kolaudimin e punimeve.

“Unë nuk di që aty të ketë një akt kolaudimi dhe me këtë gjë nuk dua të në alarm shqiptarët për tu  thënë që “Mos kaloni te tuneli i LLogarasë” që të mos keqkuptohemi. Por Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të japin shpjegime nëse ka vërtet akt kolaudimi dhe kush e ka realizuar sepse në dijeninë time këtë gjë e ka kërkuar SPAK dhe nuk i është dhënë përgjigje”, deklaroi avokati Karaj.

Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me pronar Rrok Gjokën, i njohur edhe si fitues në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Aktualisht, personi që kryen veprime të ndryshme financiare për konsorciumin turk në Shqipëri “INTEKAR ASL” është Rovena Dorezi, juriste e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.

Nga investigimet e hershme të “Vetting”, në pamjet e siguruara dallohet lehtësisht për ata që asokohe vizitonin punimet në tunelin e Llogarasë ishte mungesa e monitorimit ndaj këtij projekti, që dëmtoi dalëngadalë mjedisin dhe bukurinë e Parkut Natyror të Karaburunit. Në atë periudhë, ekspertët e mjedisit, për “Vetting” do të ngrinin alarmin për atë që po ndodhte me mjedisin.

“Ti flet, fjala vjen për një tunel që do ndërtosh në Karaburun, që është ngjitur me Parkun Kombëtar të Llogarasë, ngjitur me Parkun Kombëtar Sazan-Karaburun Detar, ngjitur aty me atë tjetrin. Aty pastaj lexon nëpër të e nëpër rreshta, që flitet për habitate në përmet, Alpet. Por një studim serioz i vlerësimit të ndikimit në mjedis, duhet të marrë në analizë këto lloj vlerësimesh në analizë dhe në gjykimin përfundimtar mund të qëllojë që të thonë ekspertët dhe duhet të qëllojnë në shumicën e rasteve që thonë “Kjo nuk duhet, nuk bën, ose mund të mos bëhet”, u shpreh për “Vetting” eksperti i mjedisit Olti Nika.

Shqetësimet e ngritura nga ekspertët e Zonave të Mbrojtura për mënyrën se si veprohet me studimet mbi impaktin që kanë projektet infrastrukturore nuk janë sinjale të rastësishme. Nga investigimi në terren i gazetarëve të “Vetting” zbulohet se kompania “Gjoka Konstruksion” ka gllabëruar sipërfaqe toke nga Parku Natyror i Karaburunit.

Pamjet ekskluzive nga terreni zbuluan se zona e mëparshme e Karaburunit e mbuluar me pyje është dëmtuar nga kompanitë pranë tunelit, duke zënë sipërfaqe, e cila nuk përfshihet në kontratë.

“Vetting” do të zbulonte se “Gjoka Konstruksion” kishte marrë leje mjedisi të tipit B në vitin 2022, për zonën në hyrjen dhe daljen e tunelit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Në këtë leje specifikohet dhe zona e kantierit, ku do të vendosen inertet e nxjerra nga tuneli.

Por dalja e tunelit në Zonën e Mbrojtur të Karaburunit zbulon shkeljen që është bërë nga kompania, e cila merret me zbatimin e projektit. Në lejen e mjedisit të tipit B përcaktohet se zona, ku do të vendosen dherat e nxjerra nga tuneli do të jenë jashtë Karaburunit, në kufi me zonën e mbrojtur.

Pamjet filmike zbulojnë makineritë që përdoren për thyerjen e gurit jashtë tunelit ndërkohë që pjesa në ngjitje është shkatërruar nga makineritë, të cilat e kanë shfrytëzuar si gurore. Zona ku kanë ndërhyrë kompania private është nën zona qendrore e Parkut Natyror të Karaburunit.

Sipas ligjit të vjetër të Zonave të Mbrojtura, ku disa pika janë shfuqizuar para disa javësh në Parlament, por që ishin në fuqi në momentin e ndërhyrjes, kompania private nuk mund të kryente asnjë lloj aktiviteti. Kjo pasi në këtë sipërfaqe, që ka si funksion ruajtjen tërësore të biodiversitetit dhe siguron një zonë natyrore të pa shqetësuar, përdoret shkalla e parë e mbrojtjes (strikte).

Sipas kushteve të kontratës, përgjegjësitë në këtë rast për veprimet e gabuara të nënkontratorit bien mbi kompanitë turke, pasi ato do t’i shlyejnë dëmin Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Vetting” kontaktoi Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për masat e marra ndaj ndërhyrjes në zonën e Karaburunit. Disa ditë pas shfaqjes së emisionit “tuneli i llogarasë, gangrenë mjedisore dhe korruptive”, në prill 2024 Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të gjobiste me 7 milionë lekë “Gjoka Konstruksion” të Rrok Gjokës për shkeljet mjedisore në të dyja anët e tunelit, të paralajmëruar nga “Vetting”.

Sipas nënkryetarit të Partisë “Mundësia” Erald Kapri, në këtë rast duhet të ndiqen të njëjtat kritere edhe për korrupsionin pasiv.

“Korrupsioni është aktiv edhe pasiv. Nuk mund të akuzosh vetëm zyrtarin që ka përfituar, por edhe përfituesin tjetër që është kompania sepse edhe ajo është palë në korrupsion dhe duhet ti shkohet deri në fund. Në disa dosje janë proceduar disa sipërmarrës dhe i njëjti standart duhet të ndiqet edhe këtu sepse po flasim për 189 milionë euro”, deklaroi deputeti i partisë “Mundësia” Erald Kapri.

Disa ditë pas publikimi të dosjes, eksperti i ekonomisë Azmi Stringa që kishte ngritur alarmin i pari para 5 vitesh, përsëri nëpërmjet postimit në platformën e tij sociale do të ngrinte disa pyetje shumë të rëndësishme.

“Pse SPAK nuk liston dokumentat e publikuara nga MIE ne prokurimin e shpallur ne 14 dhjetor 2020? 

Kush njeh si funksionon e di qe dera te keqes i hapet ne buxhet, pastaj me fond limit, pastaj ne procedure konkuruese. Po te mos e lejojne dy te paret ska shance te vjedhesh”, do të shkruante në “Meta” eksperti Stringa.

Nga dosja e SPAK e publikuar deri tani ka shumë errësirë me hetimet dhe kjo natyrisht lidhet edhe me faktin se Prokuroria e Posaçme ruan sekretin hetimor. Por hyrja e Pamela Qirko në derën e Prokurorisë së Posaçme e detyron SPAK-un të sqarojë pozicionin e ish anëtares së organit të “Vettingut” nëse kemi apo jo konflikt interesi. Presioni apo ndikimi ndaj hetimeve përvec pikëpyetjeve lidhet me faktin se njeriu që ka verifikuar prokurorin që po heton Ballukun, është i njëjti person që do e mbrojë në sallën e gjyqit.

“Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Prokurorisë së Posaçme për rolin që ka Pamela Qirko në rastin e zv.kryeministres Balluku dhe nëse kemi konflikt interesi, si edhe çeshtja e licencës së avokatisë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SPAK nuk ka kthyer asnjë përgjigje për këto pyetje, të cilat vendosin në qendër të vëmendjes publike qasjen e drejtësisë ndaj numrit dy të qeverisë, zv.kryeministres Belinda Balluku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb