Pas daljes së draftit të parë të projektligjit të “Barazisë Gjinore”, që ripërcaktonte gjininë si më shumë se burrë e grua, eshte prezantuar një draft tjetër ku gjinia ndahet nga seksi dhe trajtohet si “konstrukt social”. Ky draft, si i pari, ka shkaktuar shumë debate jo pa arsye.
Drafti i shtatorit e percaktoi gjinine si përtej binares burrë-grua, duke e kornizuar ligjërimin mbi gjininë rreth termit “identitet gjinor”, që sipas apostujve të lëvizjes LGBTQ+, lejon përfshirjen e të gjitha ndjesive e identiteteve gjinore të njeriut. Kuptohet se në debatet publike, mbështetësit e ndarjes së seksit nga gjinia nuk kanë ditur të emërtojnë më shumë sesa burri e gruaja, ndërkaq ne që e kemi kundërshtuar këtë ligj, kemi shpeshherë përmendur deduktimin logjik se, nëse lihet hapësira ligjore për vetëidentifikim gjinor, gjinitë bëhen të pafundme; si në rastin e rrjetit social Facebook, që njeh 78 gjini zyrtare.
Pas presionit nga opinioni publik dhe disa dëgjesave në komisione hetimore, Partia Socialiste u tërhoq nga projektligji skandaloz, i cili, përveçse nuk garantonte barazi gjinore, ishte ndryshuar paraprakisht pas disa amendimeve fillestare nga Aleanca LGBT. Ky projektligj skandaloz u zëvendësua nga një tjetër draft, në dukje më pro-familjes, por në realitet me një tjetër risi ideologjike: atë të trajtimit të gjinisë si konstrukt social, e jo si të lidhur me seksin. Ky trajtim i gjinisë si plastelinë, pra si objekt që e bën si të duash, është shkatërrimtar në disa dimensione.
Së pari, në dimensionin objektiv. Ta trajtosh gjininë si koncept social e ripërcakton de facto gjininë si set karakteristikash shoqërore dhe jo si realitet biologjik. Pra, grua nuk është femra, por personi, qoftë edhe burrë, që vishet si grua. Kjo lë hapur rrugën për keqpërcaktim, përçudnim dhe transgjinorizim të shoqërisë. Kjo shihet konkretisht në projektligj, ku në Nenin 4, pika 1, gërma d) shkruhet se termi gjini “nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat”.
Ky përcaktim bie ndesh me përcaktimin standard në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, ku gjinia njihet si “tiparet natyrore që dallojnë mashkullin nga femra: seks”. Pra, në dimensionin objektiv, përveçse godet realitetin binar mashkull-femër duke e paraqitur binaren burrë-grua si të ndarë nga ajo mashkull-femër, përcaktimi bie ndesh edhe me atë të Akademisë së Shkencave, e cila merret si standardi objektiv i përkufizimit dhe ligjërimit publik në Shqipëri. Biologjia nuk ‘pyet’ për konstruktet e shpikura sociale, dhe përgjatë gjithë historisë gjinia është njohur si e lidhur me seksin. Dhe jo pa arsye.
Së dyti, në dimensionin ligjor. ky projektligj i hap rrugën vetëidentifikimit gjinor. Ligji për gjendjen civile e njeh gjininë si burrë e grua. Ndërkaq, projektligji i barazisë gjinore e trajton burrin e gruan si konstrukte sociale, duke i lënë hapësirën ligjore një burri që identifikohet si grua të regjistrohet si grua në gjendjen civile, pavarësisht seksit të tij mashkull.
Për më tepër, ky projektligj i lë hapësirën Inspektoratit të Punës që të vendosë gjoba në rastet kur kuotat gjinore në kompani private nuk zbatohen sipas ligjit. Neni 24, pika 1, gërma d) detyron përfaqësim 50% dhe jo më pak se 30% të secilës gjini në bordet drejtuese, këshillat mbikëqyrës dhe ato të administrimit të subjekteve private. Përveçse bie ndesh me realitetin, duke ditur që nuk ka mjaftueshëm gra me interes për pjesëmarrje në menaxhim, kjo dispozitë godet edhe lirinë e sipërmarrjes për të marrë vendimet e veta brenda kornizave ligjore të deritanishme.
Sipas Nenit 47 të po këtij projektligji, moszbatimi i kuotave përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet nga Inspektorati i Punës apo Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke sqaruar se: “Shkelja e neneve 24 deri 30 të këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet nga inspektorati përgjegjës për punën, në përputhje me ligjin për inspektimin në fuqi dhe/ose, sipas rastit, nga Komisionerja/Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në përputhje me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.”
Për më tepër, ky projektligj çel siparin e një praktike anti-perëndimore, si ajo e policimit të shprehjes së lirë, që ajo t’i përshtatet dogmave të ideologëve gjinorë. “Gjuha me bazë urrejtjeje gjinore”, tek e cila ideologët gjinorë janë kujdesur të shtojnë edhe keqgjinimin (apo ‘misgendering’), e bën të paligjshme t’i thuash një burri që identifikohet si grua, burrë , duke goditur rrjedhimisht lirinë e shprehjes dhe ndërgjegjen njerëzore. Në Nenin 35 të këtij projektligji flitet për ndalimin e “gjuhës seksiste, gjuhës së urrejtjes, eliminimit të stereotipeve gjinore,paragjykimeve, zakoneve ose modeleve të sjelljeve shoqërore diskriminuese të njërës gjini dhe epërsisë së tjetrës”, si dhe sanksionet ligjore me të cilat qytetarët shqiptarë do të përballen për shprehjen e mendimit të tyre të lirë.
Së fundmi, ky projektligj është gjerësisht i kundërshtuar nga shqiptarët. Një anketë e Institutit për Liri e Trashëgimi nenvizoi se 97% e qytetarëve shqiptarë e kuptojnë gjininë si kategori biologjike binare (mashkull/femër), dhe se 99% e shqiptarëve e konsiderojnë familjen tradicionale (burrë, grua, fëmijë) si themelin e shoqërisë. Për më tepër, sipas anketave, 91.1% e shqiptarëve nuk do pranonin legalizimin e martesave brenda së njëjtës gjini dhe adoptimin, edhe sikur këto të fundit të ishin kushte për anëtarësim në BE.Sa i përket dispozitës së projektligjit që lejon mësimin e identiteteve gjinore në shkollë, 95.7% e shqiptarëve e kundërshtojnë.
Projektligji i ‘plastelinës gjinore’ është antiobjektiv, antiligjor, antidemokratik e antikombëtar. Ai godet ndërgjegjen individuale, lirinë e shprehjes dhe familjen. Gjinia nuk është plastelinë shoqërore; është realitet objektiv që nuk kuptohet dot pa seksin biologjik. Dhe seksi biologjik na thotë që gjini ka dy. Vetëm dy.
