Duke lexuar këtë projektligj i hedhur për “konsultim publik” nga Ministria e Jashtme në faqen e saj të internetit, dërguar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në respekt te punës së kolegëve të mi diplomatë dhe ish-diplomatë që kanë punuar për hartimin e tij po radhis disa pyetje dhe komente që mund të jenë të shumta, si: Pse një ligj i ri për shërbimin diplomatik? Pse tani? Sa lidhet projektligji i ri me dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Po të krahasohen relacionet e vitit 2015 drejtuar Kuvendit, dhe relacionit të hedhur në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, shohim se edhe pas dhjetë vitesh, argumentet janë të njëjta mbi domosdoshmërinë e hartimit të një ligji të ri dhe ngjajnë si dy pika uji: “ka kaluar gati 10 vjet…..rregullon më mirë fushën e kompetencave….zgjeron fushën e bashkëpunimit…në përputhje me dinamikën e zhvillimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare…..siguron pastërtinë e figurës”….etj., etj.

Çfarë ka ndryshuar në këta 10 vjet që i ka shtyrë juristët e ministrisë së jashtme për të ndërmarrë një iniciativë të re ligjore ?

Autorët e projektligjit marrin guximin që t’i referohen, në mënyrë nominale, modeleve sllovene, lituaneze dhe letoneze. Jo vetëm që projektligji shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët me to si në koncept, filozofi dhe frymë, por synon të ndikojë opinionin e ligjvënësve me disa terma specifik të huazuar nga ato ligje. Ndërkohë që Shqipëria nga viti 1998 synon të miratojë ligjin e katërt për shërbimin e jashtëm, Sllovenia ka bërë vetëm dy ligje (2001 dhe 2003 me tre amendime), Lituania një ligj (1998, ku amendimi i fundit është bërë në vitin 2006), si dhe Estonia një ligj (2006).

Sa më sipër, por edhe nenet që lidhen me: qëllimin e ligjit; përkufizimet përkatëse të diplomatit; marrëdhënieve të shërbimit të jashtëm me institucionet e tjera kushtetuese; rolin e komisionit të karrierës diplomatike; kompetencat për hapjen apo mbylljen e përfaqësive diplomatike jashtë shtetit; përzgjedhja dhe emërimi i krerëve të misioneve diplomatike; personelin e misioneve diplomatike; periudhat e emërimit në përfaqësi diplomatike; ecurinë, afatet dhe procedurat e marrjes së gradave diplomatike; janë lehtësisht të verifikueshme përmes një krahasimi të projektligjit të propozuar dhe ligjeve të vendeve që janë marrë si referencë.

Flitet për “DISA RISI”?! Ku?! Si?!

Pretendohet se sjell disa risi, por po të shohësh argumentet në relacion risitë nuk kanë lidhje fare me dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare siç pretendohet nga drejtuesit e lartë të ministrisë së jashtme, në sqarimet e tyre të bëra publike në faqen e internetit të ministrisë. Madje, si argument thelbësor konsiderojnë rritjen e kohës së qëndrimit të diplomatëve nga 3 në 4 vjet. A thua se kjo është gjeja më e rëndësishme të për argumentuar domosdoshmërinë e hartimit dhe miratimit të një ligji të ri.

Megjithatë, për t’i shkuar projektligjit më në thellësi, vërejmë se si nga ana statistikore, ashtu edhe përmbajtësore, asgjë nuk e justifikon hartimin e një ligji të ri. Ndryshimet e propozuara, thjesht lidhen me mënyrën e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe aspak me politikën e jashtme. Për këtë arsye kemi shumë të drejtë të mendojmë se dispozitat e propozuara bëhen për të sanksionuar në ligj të gjitha prurjet politike në këto 10 vite.

Sa më sipër bëhet edhe më e qartë kur e analizon projektligjin nen për nen. Vetëm gjashtë nene të reja, nga të cilat vetëm dy prej tyre duket se kanë një përmbajtje dhe që, nëse shkojmë me logjikën e hartuesve të projektligjit, mund të konsiderohen risi: e para, futja e Akademisë Diplomatike brenda ligjit, a thua se nuk ka qenë pjesë e ligjit të vitit 2003 dhe që për të cilën ende është në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2006, me nr.90; dhe e dyta ngritja e Komisionit të Apelimit, krahas atij për Karrierën Diplomatike dhe Disiplinës. Kjo e fundit është vërtet shumë qesharake, pasi siç mësojmë nga burime brenda ministrisë së jashtme, titullarët e këtij institucioni refuzojnë të zbatojnë vendimet e gjykatave e jo më të marrin seriozisht vendimet e komisionit të ngritur e kontrolluar nga ministri i jashtëm. Të gjitha nenet e tjera kanë disa rregullime gjuhësore dhe përmirësime të konfuzionit mes termave që përmban ligji aktual, por që në asnjë mënyrë nuk e justifikon “domosdoshmërinë” e një ligji të ri.

Gjithashtu, në projektligji vërehet, se nga njëra anë forcohen kriteret për hyrjen në shërbimin e jashtëm dhe promovimin në karrierë, nga ana tjetër, përmes dispozitave të veçanta, ata që hyjnë në shërbim nga dritarja politike e në të gjitha nivelet, mund të konsiderohen diplomatë karriere dhe madje edhe t’i kapërcejnë të gjitha etapat e të trajtohen me grada të larta diplomatike në mbarim të emërimeve në përfaqësitë diplomatike.

Titullarët e ministrisë duhet të shqetësohen për përmbysjen e sistemit të gradave diplomatike, madje për një përputhshmëri më të mirë e më të drejtë mes lidhjes së niveleve drejtuese me nivelet më të larta të gradave diplomatike, sepse edhe ketu ka mangesi.

Dikush mund të argumentojë se dhe vendet e tjera si ato të SHBA, BE apo Mbretërisë së Bashkuar kryejnë emërime politike. E vërtetë, por i kanë transparente e të kontrolluara. Shërbimi Diplomatik i SHBA pranon një përzierje të diplomatëve të karrierës dhe të emëruarve politikë – historikisht një ndarje afërsisht 70/30 (kryesisht për pozicionin Ambasador dhe jo në vende strategjike për SHBA) – por e përfshin këtë praktikë në transparencë (emërime publike), konfirmim legjislativ dhe një shërbim të fortë dhe të mbrojtur karriere. Modeli amerikan kontrollon politizimin në vend që ta maskojë atë.

Franca, ka një sistem të dyfishtë: Corps Diplomatique (karrierë) dhe ambasadorë politikë (të pakët, për poste specifike). Përqindja e emërimeve politike është nën 15%, dhe çdo rast është subjekt i debatit parlamentar. Trajnimi dhe rekrutimi bëhen përmes ENA (École Nationale d’Administration), e cila garanton depolitizim institucional.

Ne Slloveni, Lituani, Estoni shumica e ambasadorëve, janë diplomatë karriere, dhe çdo përjashtim politik është i dokumentuar publikisht. Shërbimi diplomatik është pjesë e administratës civile, me karrierë të qartë dhe nivele të mirë përcaktuara. Emërimet politike janë të kufizuara në më pak se 10% të posteve të nivelit të lartë. Akademia Diplomatike funksionon si kusht paraprak për hyrje në shërbim.

Në frymën e angazhimit të shtetasve shqiptarë, të cilët punojnë apo kanë punuar si ekspertë me Organizata Ndërkombëtare dhe të cilët duan të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm, projektligji parashikon t’i japë mundësinë që të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm nëse duan për të sjellë ekspertizën e tyre.

Së pari, askush nuk mund të vërë në pikëpyetje ekspertizën që individë të tillë mund të kenë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Por, shërbimi diplomatik shqiptar, ka një ekspertizë shumë të pasur që i tejkalon disa herë eksperiencat personale, ka ekspertizën e diplomatëve të karrierës, të cilët e kanë anëtarësuar vendin në shumë organizata ndërkombëtare dhe rajonale pas vitit 1992 e në vijim, e kanë bërë anëtare të Këshillit të Evropës, anëtare të NATO-s, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke i hapur rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, si dhe mbi të gjitha, duke i bërë shqiptarët të lëvizin lirshëm, pa viza, në të gjitha vendet e BE.

Së dyti, ka një dallim shumë të madh midis diplomatëve të karrierës dhe ekspertëve. Çdo diplomat karriere vjen nga një fushë njohje dhe ekspertize dhe e zhvillon atë në përputhje me praktikat diplomatike. Ndërsa ekspertët, e kanë të kufizuar spektrin e objektit të tyre të punës, madje në të shumtën e rasteve janë teknicienë, që fare mirë mund të merren me kontrata të përkohshme për qëllime të caktuara, por jo të konsiderohen diplomatë karriere.

Dhe së treti, diplomati i karrierës kalon nga nivelet më të ulëta të gradave diplomatike e deri tek ato më të larta, përmes një eksperience unikale nëpër drejtoritë e ministrisë dhe misionet diplomatike jashtë shtetit, në kontakt të vazhdueshëm me diplomatë nga vende të ndryshme të botës, që nuk mund ta ketë asnjë ekspert, sado i zoti të jetë. Eksperti të vlerësohet si i tillë, por jo si një diplomat karriere.

Por duke u thelluar edhe më shumë në projektligj, vërejmë edhe nja dy fakte shumë interesante, që lidhen me interesin për të shtuar kompetencat e ministrit, madje edhe në konflikt të hapur me Kushtetutën e vendit. Kjo e fundit rezulton edhe në ligjin aktual në fuqi, përmes kufizimit të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, duke i vendosur afate Presidentit që Kushtetuta nuk i parashikon. Por, me projektligjin e propozuar kompetencat e ministrit shkojnë edhe më larg. Ai merr kompetenca që të emërojë “koordinatorë” si pranë Presidentit të Republikës ashtu edhe Kryeministrit, madje edhe me kohë të kufizuar (2 vjet). Ndërkohë, që si Presidenti i Republikës ashtu edhe Kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, emërojnë në kabinetet e tyre këshilltarë dhe ndihmesa(nuk kanë në organikë koordinatorë), sipas gjykimit dhe vlerësimit të tyre gjë që nuk mund t’ia imponojë vartësi i tyre, si për nga hierarkia kushtetuese ashtu edhe e ceremonialit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, Ministri, mund edhe të emërojë në misionet diplomatike persona të veçantë me gradën diplomatike Ambasador, ndërkohë që kjo gradë praktikisht dhe ligjërisht konsiderohet honorifike dhe jepet veç nga Presidenti i Republikës. Nuk mund të ketë gradë emërimi Ambasador, përveç Shefit të Misionit që mban gradën Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, nëse nuk ndryshohet koncepti i dhënies së gradës Ambasador.

Ligji në fuqi, por edhe projektligji i propozuar, në dallim me praktikat e shumë prej vendeve të BE-së, gradën diplomatike Ambasador e konsideron honorifike dhe jo thjesht shkallën më të lartë në karrierën diplomatike, madje duke futur klauzola që ajo të mund të përfitohet vetëm nga persona të veçantë e të preferuarit e ministrit apo kryeministrit. Precedenti që krijohet ka qenë dhe është tejet dëmtues për të ardhmen dhe reputacionin e shërbimit të jashtëm shqiptar.

Por nuk mbaron këtu. Në projektligj gjen edhe çudira të tilla ligjore, si “Bashkëpunimi me Kryeministrin” (neni 9 i projektligjit), ku thuhet se: “Ministri informon dhe i paraqet Kryeministrit…..Ministri i raporton Kryeministrit mbi…..”, a thua se Ministri nuk është pjesë formale dhe funksionale e Këshillit të Ministrave që kryesohet nga Kryeministri. Pyetja që lind është: cili është ai ministër që nuk informon dhe raporton tek Kryeministri?

Dhe qershia mbi tortë është neni absurd (Neni 68, Aktet nënligjore), i cili në pikën 2 të tij parashikon se: “Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre…..”

Së pari, autorët e projektligjit e denigrojnë shërbimin e jashtëm, si në asnjë vend tjetër, pasi diplomatët e zhvillojnë karrierën e tyre në mënyrë unikale, që nga hyrja në shërbimin e jashtëm e më pas përmes marrjes së gradave diplomatike një e nga një (sigurisht ka edhe raste përjashtimore dhe abuzive), ku përfshihen disa lloj testimesh, trajnimesh, përditësimesh dhe eksperiencash shumë specifike. Maxhoranca qeverisëse nuk mund të kujtohet pas 12 vitesh drejtim të shërbimit të jashtëm pa ndërprerje për të bërë një testim të tillë absurd (qeveritë e majta nga 33 vite demokraci e kanë drejtuar shërbimin e jashtëm për rreth 25 vite, dhe të gjitha ligjet e shërbimit të jashtëm janë bërë prej tyre).

Së dyti, kush do ta bëjë këtë testim aftësish, veçanërisht për diplomatët e karrierës që i kanë kaluar mbi 15 vite në shërbimin e jashtëm e që hyjnë në nivelin e atyre që quhen “senior diplomat”, për të mos folur për ata që kontribuojnë prej më shumë se tre dekada në shërbimin e jashtëm. Periudha e gjatë në shërbimin diplomatik, kudo konsiderohet si shumë e vyer për karrierën e një diplomati. Përgatitja e një diplomati, si nga ana e njohurive ashtu edhe e komunikimit, përmes testimeve, trajnimeve dhe përditësimeve të njohurive, kërkon një kohë relativisht të gjatë dhe nuk mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit nga drejtuesi i radhës.

Së treti, çfarë do të ndodhë pas mbarimit të 12 muajve dhe marrjen e diplomatëve të tjerë në shërbimin e jashtëm, pasi procedurat e rekrutimit janë po ato, duke kaluar nga Departamenti i Administratës Publike, trajnimi disa mujor në ministrinë e jashtme dhe në fund testimi për hyrjen në shërbimin e jashtëm?

Së katërti, si do të procedohet me personat që prej kohësh kanë mbushur moshën e pensionit dhe që janë emëruar nga nivelet më të ulëta e deri tek nivelet më të larta të drejtimit të përfaqësive diplomatike? Po për ata që janë në prag të moshës së pensionit pas më shumë se tri dekadash në shërbimin e jashtëm?

Pyetjet janë të shumta, por mund të konkludojmë, se thelbi i këtij projektligji jo vetëm që nuk e përmirëson, por e dëmton edhe më shumë sistemin e karrierës diplomatike në kundërshtim me praktikat e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, që shërbimin e jashtëm e kanë thuajse 100% të bazuar në sistemin e karrierës.

Urojmë, që Komisioni i Kuvendit për Politikën e Jashtme, të mos ndjekë shembullin e ministrisë së jashtme dhe të paraqesë të njëjtin raport që ka pas paraqitur më 11 mars 2015.

Mangësitë përmirësohen por mangësitë, veçanërisht ato ligjore, dëmtojnë dhe rëndë madje në afatgjatë! E thënë me thjeshtë – mos shkohet nga KEQ në DREQ!

*Ish-Ambasador

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb