Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për mediat se kryeministri Edi Rama po shkel rëndë kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregulloren e Parlamentit për të mbrojtur Belinda Ballukun.

“Sot jam para jush për të denoncuar shkelje të rënda të kushtetutës, ligjeve të vendit dhe rregullores së Parlamentit nga Edi Rama, në mbrojtje të vetes në aparencë të Belinda Ballukut,” tha Berisha.

Ai theksoi se sipas rregullores, raporti i Këshillit të Mandateve duhet të paraqitet në Parlament brenda dy javësh, ndërsa deri tani kanë kaluar 20 ditë nga dorëzimi i kërkesës së prokurorëve për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut për vepra të rënda penale.

“Balluku ka shkaktuar një dëm për qytetarët shqiptarë të barabartë me 1.2 miliard euro! Edi Rama sfidon kështu qytetarët në një grusht shteti, duke bllokuar ndjekjen penale të qeveritarëve që janë bërë milionerë dhe miliarderë me taksat dhe pasuritë e shqiptarëve,” deklaroi Berisha.

Ai kërkoi reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe përshkroi vonesën si një pengesë të qartë për drejtësinë dhe transparencën ndaj qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb