Gazetari Osman Stafa, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te roli i SPAK dhe ndryshimi i qëndrimit të Partisë Demokratike ndaj institucionit të drejtësisë.
Sipas Stafës, në skenën aktuale politike “topin” po e gjuan vetëm SPAK, duke goditur një pushtet të konsoliduar që, siç shprehet kryeministri, mbështetet nga 83 mandate parlamentare. Ai theksoi se sa herë SPAK ndërmerr hapa të fortë, reagimet politike janë të menjëhershme.
“Kur SPAK kërkon të arrestojë Ballukun, Rama përmend edhe fuqinë e 83 mandateve. Kjo tregon se SPAK po prek një pushtet real,” u shpreh gazetari.
Stafa vlerësoi gjithashtu ndryshimin e kursit të Partisë Demokratike ndaj SPAK, duke e cilësuar si një lëvizje të drejtë. Ai nënvizoi se kryetari i PD, Sali Berisha, është treguar më i kujdesshëm pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, ndërsa partia ka paguar kosto politike në betejën e saj të mëparshme kundër institucionit.
“Prokuroria heton, gjykata vendos. Opozita tani u bind se SPAK e ka seriozisht, sidomos pas rastit të Ballukut,” tha Stafa, duke shtuar se brenda PD-së ka deputetë që në thelb besojnë te SPAK, por që për shkak të linjës zyrtare të partisë dhe qëndrimit të Berishës janë shprehur ndryshe publikisht.
Gazetari ngriti edhe një pyetje retorike mbi standardin e qëndrimeve politike: “Çfarë do të ndodhë nëse kryetari i ri i SPAK bëhet pjesë e një dosjeje që heton një person të opozitës? A do të konsiderohet edhe ai i keq?”
Në përfundim, Stafa theksoi se SPAK ka realizuar veprime të paprecedenta në Shqipëri, duke hyrë drejtpërdrejt në institucionet më të larta të pushtetit.
“SPAK ka bërë atë që nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri, i ka shkuar në zyrë Kryeministrisë dhe ka hyrë në këtë godinë,” përfundoi ai.
