TIRANË

Vrasja e Hekuran Billës mund të mbetet pa autor. Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje për çështjen e ftuar në rubrikën “Opinion” në News24. Duke iu referuar dosjes së prokurorisë ajo tha se janë 11 zyrtarë policie dhe të SHISH që kanë kërkuar në sistemin e TIMS me emrin e Hekuran Billës.

Ndërkohë që ai u ekzekutua kur sapo ishte kthyer nga Belgjika. Ajo tha se mendon se ndonjë prej 11 personave të pyetur mund të jetë i përfshirë dhe bashkëpunëtorë me autorët e vrasjes, duke theksuar se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat duhet të nisë një hetim.

“Ky nxitim i policisë po shihet tani, sepse prokuroria e policia kanë dështuar për provimin e akuzës. Në atë kohë u nxitua dhe madje u trumbetua me bujë ndalimi i dy personave të dyshuar. Mendoj që kjo çështje duhet të kishte një përfundim ndryshe nëse policia do ishte më e matur.
Ai u lirua në kundërshtim me ligjin nga ish-gjyqtarja Enelekeda Hoxha, arsye për të cilën është shkarkuar. Por policia nxitoi duke mos i dhënë kohë vetes e prokurorisë të krijonte prova.
Dyshimi i parë kishte të bënte me një vrasje për motive gjakmarrja. Duke pasur një konflikt të hapur me familjen Marku, ranë dyshimet mbi Viktor Markun. Aktualisht prokuroria deklaron se të gjithë kamerat e sigurisë nuk kanë dhënë rezultat për vendndodhjen e të dyshuarit. Nuk ka asnjë thirrje telefonike mes Viktor Markut, Sebastian Malit dhe Adiola Lakrës.
Ditën e ngjarjes, telefoni i Markut rezulton i loguar në Tarabosh të Shkodrës.
Është kërkuar nga ana e policisë Petrit Aliaj, alias Xhekson Pusi, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Shkodrës, i cili dyshohej se drejtonte mjetin ditën e ngjarjes, por ADN nuk e ka konfirmuar. Janë bërë verifikime për Viktor Markun. Janë pyetur miqtë e Hekuran Billës, por nuk kanë dhënë asnjë të dhënë apo dyshim se viktima kishte frikë se mund të ekzekutohej.
Është kërkuar pushimin e çështjes Prokuroria, por Gjykata do vendosë nëse janë kryer veprimet e plota hetimore. ka disa opsione, ta rikthejë për hetim nga e para, por edhe rikthimi nuk e heq dot mundësinë e lirimit të dy personave të akuzuar.
Në plot ngjarje, si ajo e Marjo Majollarit, dyshohet që u vra për hakmarrje, sot autori është i lirë.
Një detaj shumë interesant në kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes. Pyetja e një numri shumë të lartë të zyrtarëve të policisë dhe të SHISH. 11 punonjës policie në periudha të ndryshme kanë kërkuar në sistemin TIMS emrin Hekuran Billa. Personalisht mendoj se ndonjëri prej tyre është i përfshirë dhe ka qenë bashkëpunëtor me autorë.
Këtu mendoj që është çështje e SHÇBA që duhet patjetër të nisë një hetim dhe të shikojë rolin e secilit punonjës policie. Nuk mund që prokuroria të bazohet tek këto deklarime. Ai është vrarë sapo ka hyrë në territorin shqiptar. Mendoj që kjo çështje do shkoj drejt një pushimi të mundshëm. Edhe nëse do kthehet për një rihetim do shkojë drejt pushimit. Ajo që duhet të na shqetësojë është konflikti dhe saga e gjakmarrjes që mund të vijojë mes familjeve”, tha Lala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb