Grupi parlamentar demokrat, përmes një shkrese dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kërkon që gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka e cila rezulton e dënuar në shtetin grek, të mos vazhdojë më detyrën e saj.
Në shkresën dërguar medias, thuhet se një fakt të tillë është fshehur prej gjyqtares në formularët e vetdeklarimit, ndaj KLGJ dhe ILD të zbatojnë Kushtetutën dhe Ligjin, duke konstatuar mbarimin e statusit të saj si magjistrate dhe largimin nga detyra.
Në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, thesohet se “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal. Ky fakt ka krijuar një gjendje paligjshmërie dhe antikushtetutshmërie në sistemin gjyqësor.”.
Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të KLGJ dhe ILD, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor.
“Bazuar në dispozitat kushtetutese dhe ligjore të sipërcituara, si dhe në konfirmimin e bërë zyrtarisht nga Prokurori i Përgjithshëm, mbi faktin se gjyqtarja e posacme znj. Irena Gjoka rezulton e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, fakt të cilin ajo e ka mbajtur të fshehur dhe nuk e ka deklaruar në disa dokumente zyrtare, sic e kishte detyrim, e vendos atë jo vetëm përpara kryerjes së veprës penale të parshikuar në nenin 190 të Kodit Penal, por mbi të gjitha në pamundësinë kushtetutese dhe ligjore për të ushtruar funksionin kushtetutes të gjyqtarit të Republikës.
Përkatësisht, ajo ndodhet në kushtet kushtetuese dhe ligjore ku Këshill duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit apo kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të kërkojë shkarkimin nga detyra për “sjellje që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit”.
Ky konstatim duhet të kishte ndodhur, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë/papajtueshmërisë, por deri më tani Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk kanë vepruar, edhe pse Prokurori i Përgjithshëm prej muajsh publikisht dhe në seancat dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ka informuar se fakti i dënimit ishte konfirmuar nga autoritetet përkatëse greke. ”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.
Në përfundim, opozita thekson se: “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të drejtësisë dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në punën Tuaj, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, kontrollit kushtetutes mbi zbatimin e ligjit, si dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të veprojnë në kohë, menjëherë, për të zbatuar detyrimin kushtetues dhe ligjor, të konstatimit të mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren e posacme znj. Irena Gjoka.
Për më tepër, pas përfundimit administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm dhe njoftimit të rezultateve Këshillit të Lartë Gjyqësor, ky i fundit sipas nenin 66 të ligjit nr. 96/2026, duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë.
Përsa më lart, çdo vonesë nga ana juaj shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë, besimin e qytetarëve tek institucionet e pavarur të drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.”.
Në shkresë citohen në mënyrë të plotë dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e 3 ligjeve të miratuara me shumicë të cilësuar, që ndalojnë një gjyqtar të dënuar me vendim të formës së prerë që të ushtrojë funksionin e gjyqtarit.
