TIRANË – Prokuroria i kërkon deputetit Tom Doshi të paraqitet në mënyrë të detyruar nesër në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë. Ndryshe nga sa u shpreh Doshi se te enjten do te dorezoje vullnetarisht provat, ndaj deputetit ka nje fletethirrje nga organi i akuzes ku i kerkohet te paraqitet ne po kete dite, ora 08:00 e mengjesit.

Urdhër – paraqitja është lëshuar nga dy prokurorë: Manjola Kajana dhe Përparim Kulluri.

Arsyeja e lëshimit të “Urdhër-paraqitjes”, shprehimisht është: “Për t’u pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e kryerjes së veprës penale për qëllime të hetimit të procedimit penal nr.63 të vitit 2015 për veprën penale të “Vrasja e funksionarëve publikë”, të mbetur në tentativë të parashikuar nga neni 79/a dhe 22 të Kodit Penal.”

Po ashtu, në të thuhet se “në rast mosparaqitje ditën dhe orën e caktuar, pa patur pengesa të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 312/2 të K.Pr.Penale do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.

Deputeti Tom Doshi akuzoi ditët e fundit, kreun e Kuvendit, Ilir Metën, se kishte porositur vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Për akuzat e tij edhe ndaj Kryeministrit e Qeverisë, ai u përjashtua nga grupi parlamentar i PS-së. Pas përjashtimit, Doshi tha se “do t’ia bëj me dije Edi Ramës se qysh sot e mbrapa mes meje dhe atij nuk do të ketë kurrë më paqe.”

Për akuzat e tij u prononcua Kryesia e Kuvendit, që i kërkoi të dorëzojë provat që disponon, videon ku pretendon se ka provat; më pas, u hetua një person i dyshuar si atentatori i vrasjes së deputetëve, Durim Bami, që pas marrjes në pyetje u ndalua nga prokuroria për të vijuar hetimin. Po ashtu, sot u prononcua zyrtarisht edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që deklaroi se askush nuk ka organizuar një vrasje për deputetin. Tahiri vuri në dukje se Doshi ka akuzuar shumë persona si porositës të vrasjes së tij, që nga Berisha, Agron Rama, Agron Kuliçaj, Ilir Meta etj. por asnjëherë nuk ka paraqitur prova konkrete, përfshirë edhe videon.

FAKSIMILE E DOKUMENTIT TE PROKURORISE

Prokuroria Tom Doshilogo

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb