Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar me anë të një reagimi publik me vendimin e prokurores Elsa Gjeli për të mos ndjekur penalisht çështjen e ndërtimit të një parku turistik pa leje në Theth.

Ai ka njoftuar se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi disiplinor ndaj saj, duke e cilësuar vendimin si një rast të qartë të shpërfilljes së ligjit.

Sipas Manjës, prokurorja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor përpara se të vendoste mosfillimin e procedimit penal.

“Si Ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kam kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit… Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë.” – u shpreh Manja.

Ai theksoi se një qasje e tillë bie ndesh me thelbin e Reformës në Drejtësi dhe me besimin që qytetarët i kanë dhënë shumicës në pushtet.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb