Kamza sot ka patur një eveniment kulturor për t’u shënuar për disa arsye. Së pari, salla e shkollës “Angela Merkel” si rrallëherë është mbushur për të mos thënë tejmbushur, së dyti promovohej një roman i ri nën kujdesin e Bashkisë Kamëz dhe Shtëpisë Botuese, e së treti emri i autorit një personazh i dashur jo vetëm si shkrimtar, por dhe shtetar ishte pranë qytetarëve të Kamzës për të ndarë më ta gëzimin dhe krijimin e tij të ri letrar, romanin “Ministri”.

Të pranishëm në këtë takim veç të zotit të shtëpisë Kryetarit të Bashkisë Rakip Suli ishin dhe botuesja e romanit “Ministri” Elda Vela, shkrimtarët e Ben Blushi, Arben Çejku dhe Ylljet Aliçka si dhe aktorët Ervin Bejleri dhe Ola Arizaj të cilët interpretuan pjesë nga romani duke rrënqethur sallën.

Whatsapp Image 2026 04 09 At 16.25.40
Whatsapp Image 2026 04 09 At 16.25.40

Takimi u moderua nga ikona e takimeve letrare, Monika Stafa. Në sallën plot gjendeshin dhe dashamirës të librit nga Kamza të të gjitha moshave, ku ende pa nisur takimi u duk qartë interesi i tyre për botimin më të ri të Ahmet Prençit teksa në stendën e Shtëpisë Botuese me dhjetëra dashamirës të letërsisë morën librin ende pa nisur aktiviteti. Moderatorja dhe gazetarja Monika Stafa në hapje të këtij aktiviteti tha se –“Jam shumë e gëzuar që marr pjesë në një ngjarje libri. Sot jemi mbledhur për një roman shumë interesant, i cili këtë herë është vlerësuar me bujë, ndryshe nga dy romanet e tij të para, “Anja” dhe “Prokurori”. Nëse në dy romanet e para kam vënë re një gjuhë artistike të shtuar, tek “Ministri”, që në titull, kemi një thellësi politike. Ky mbetet një roman model. Romane të tillë me trille politike janë ndër më të shiturit. Unë i uroj autorit suksese dhe frymëzime edhe më të thella”.

Botuesja Eda Vela duke falënderuar Bashkinë Kamëz dhe kryebashkiakun Rakip Suli për mbështetjen ndaj librit dhe kulturën theksoi se ka kënaqësinë të jetë e pranishme në promovimin e romanit “Ministri”. “Me Ahmetin jemi ulur disa herë për të diskutuar mendimet, derisa në fund krijesa e Ahmetit tashmë ka marrë “flatra”. Me këtë libër ndërgjegjen tonë Ahmeti e ka vendosur para pasqyrës. Në faqet e tij zhvillohet një përballje titanësh. Është një mesazh i fortë për një vend që shpesh harron, fal, por në fund gjithmonë vuan pasojat. Unë mendoj se ky është një roman me një gjuhë të pasur filmike, madje mendoj që zoti Ylljet Aliçka ta konsideronte për trilogji për një film. Është një rrugëtim i thellë politik dhe emocional, që e çon lexuesin përballë pikëpyetjeve mbi drejtësinë dhe përgjegjësinë. Ju ftoj ta lexoni”- tha znj.Vela.

Shkrimtari dhe skenaristi Ylljet Aliçka në fjalën e tij tha se: -“Nuk ndodh shpesh që letërsia të bëjë kaq shumë njerëz bashkë. Por pasi i bëmë një vizitë të shkollës “Angela Merke: me kolegët dhe kryetarin Suli, u njohëm edhe me arritjet e kësaj bashkie, shkon natyrshëm kur sheh kaq shumë njerëz, është për t’u përshëndetur! Sot jemi mbledhur për librin, fatmirësisht e kam ndjekur letërsinë e Ahmet Prençit dhe nuk është e lehtë të flasë një shkrimtar për një tjetër. Duke e njohur rrugëtimin e tij, ky libër i fundit më pëlqeu më shumë se të tjerët. Elda bëri një propozim. Ky është një libër që të provokon për ta bërë film dhe mund të propozoj që të bëhet film. Është libër që ka intrigë dhe provokon shumë pyetje. Një nga tiparet që do thoja që më befasoi është se është një libër shumë i pjekur, i mençur, kjo edhe falë përvojës së tij institucionale. Ka 2 qasje: historike-politike, analizë e ftohtë, dhe letrare-emocionale që e zbërthen. Ky libër është një diagnozë e fuqishme e shoqërisë shqiptare që nuk bën moralizime, por realitete të ashpra që provokojnë dilema e pyetje. Ka analiza të pjekura të realitetit shqiptar dhe shoqërisë tonë. I uroj suksese Ahmetit dhe shoh që është një yll në ngjitje edhe jashtë vendit. Urime!”.

I pranishëm në këtë promovim ishte dhe shkrimtari Ben Blushi i cili në fjalën e tij tha “Faleminderit shumë! Kur ne na ftojnë në takime si ky, botuesit kanë një qëllim: të bindin të blejnë sa më shumë libra. A ja vlen ta blejnë? 3 arsye: Ju me këtë libër, keni blerë një libër, një film dhe jetën e Ahmet Prençit. Me dy fjalë, ky libër tregon historinë e një banditi, që sigurisht nuk ishte nga Kamza se Kamza s’ka banditë, i cili pas një jete shumë të vështirë dhe problematike, arratiset nga Shqipëria, të integrohet disi, por bën diçka që shumë gra e bëjnë sot, ajo që quhet operacion plastik që të humbte gjurmët. Pasi mendon që i ka humbur gjurmët, ky bandit kthehet dhe futet në politikë. Ai kërkon vota, bëhet ministër i Brendshëm. Dhe kur ju thashë që keni blerë film, libër dhe jetën e Ahmet Prençit, së pari, a është kjo një temë e rëndësishme në shoqërinë tonë? A bashkëpunon sot politika me krimin sa ky personazhi i Ahmet Prençit? Për fat të keq, po. S’dua të bëj moral politik, por kjo është tema e librit. Ahmeti Prençi ka pasur mjeshtërinë që ta shpjegojë këtë gjë”.

Më tej Ben Blushi thotë se: -“ Ahmeti ka qenë një nga drejtorët më të mirë të policisë që ka pasur Shqipëria. Dhe një person i tillë tregon lidhjen politikë-krim, askush më mirë se ai nuk mund ta dijë. Kur po lexoja librin, më kujtua “Pirati bëhet Pap”, ka qenë një libër i ndaluar në komunizëm, i cili tregonte sesi një bandit, në shekullin e 17, u bë prift, pastaj Pap; në fund fare ata e kuptuan dhe pasi e kapën, e futën në burg. Edhe personazhi i Ahmetit i jepte moral popullit, e fusin në burg, kështu mbaron libri. Kryesore për t’u kuptuar është raporti i Ahmet Prençit me të vërtetën. E para, sinqeriteti dhe vullneti, që Ahmet Prenci i ka të dyja. Ai ka shumë vullnet, ka filluar të botojë 2 libra në vit. Njerëzit sot gjithmonë e më pak kanë raport me shkrimtarët, një shkrimtar punon si puna e Ahmetit 6 muaj për një libër, një këngëtar si Noizy 6 ditë. Atë e dëgjojnë 1 mln njerëz, ne 1 mijë njerëz. Por e jona është një punë kolosale, shumë e vështirë. Ahmeti e ka arritur me mjeshtëri këtë gjë. Realisht mua më ka pëlqyer shumë, i shkruar mirë, ekonomik, i sinqertë dhe me personazhe interesantë. Për mua shkëlqen vetë Ahmeti mbi të gjitha. Ai ka treguar një pjesë të jetës së vet. Në fund fare e mira triumfon dhe Ahmeti, shteti, arrin ta kapë banditin aty ku e meriton.

Ahmet Prenci Ben Blushi
Ahmet Prenci Ben Blushi

Ky është me pak fjalë libri. Realisht ja vlen ta blini librin, njihni një Shqipëri që nuk e njihni më mirë se ai që ka shkruar”. Ben Blushi iu rikthyer sërish kërkesës së tij të propozimit që Bashkia Kamëz të ndërtojë, t’i vërë emrin një rruge në Kamëz “Rruga e Shkrimtarëve”. Në fund fare do them atë që tha Elda dhe Ylli: ky libër është aq interesant sa mund të ishte një film fantastik. Nëse ky film do bëhej me disa seri, si ato të Netflix, serial shumë i bukur, shumë shpejtësi dhe personazhe që ne i kemi në jetën tonë, që kur i sheh film të japin shumë ndjesi ndryshe. Besoj që nuk ka motivim më të mirë për shkrimtarin sesa kur takohet me lexuesit e vet, kështu që jepini mbështetje që të bëjë libra edhe më të mirë se kaq. I pranishëm në promovim dhe në panel shkrimtari Arben Cejku në fjalën e tij tha se: -“I nderuar kryebashkiaku, miku ynë i dashur Rakip Suli, dhe të gjithë të pranishëm. Shumë faleminderit që na mbledh, Ahmet, në sukseset e tua. A është kjo një letërsi politike? Ky roman është pjesë e një letërsie politike, të angazhimit social, dhe më vjen mirë që në librin e tij të tretë vjen romani “Ministri” si një sukses, e treta e vërteta.

Ky roman, në të gjitha këndvështrimet, nuk është thjesht arritje për autorin, por për të gjithë letërsinë shqiptare. Jam i sigurt që unë, Rakipi dhe Ahmeti kemi një udhëtim prej kohësh. Ahmeti ka pasur 2 romane të suksesshme, ju keni 2 mandate dhe i treti do jetë shumë i suksesshëm. Unë që jam nga zona e Lumës ndihem krenar dhe i privilegjuar me dy miq që shkëlqejnë secili në fushën e vet”. Më tej z.Çejku tha se –“Romani “Ministri” në fakt është një paralele. Nuk e dija që do ishte z. Blushi këtu, është një mënyrë që më kujton “Kandidatin” e zotit Blushi. Shkaku dhe pasoja janë politike. Blushi, te “Kandidati”, paraqet një krizë të politikës si futesh, abuzohet për të zënë një post politik, dhe tek “Ministri” kemi një person me probleme ligjore që depërton prej korrupsionit politik. Dhe kur ka korrupsion politik, pasojat kuptohet që do jenë më pas. Edhe në letërsi të tjera ka paralele të ngjashme, ku një shtetar mbijeton dhe kupton midis idealizmit dhe presionit që kalon si shtetar. Nuk dua të zgjatem, por këtë lloj letërsie e konsideroj të realizmit social. Dallimi me realizmin socialist ishte ai që tregonte si duhet të jetë shoqëria, ndërsa social tregon sesi është shoqëria përmes fenomeneve që janë negative dhe ne duhet të shohim nga ana pozitive. Duhet të reflektojmë të gjithë përtej letërsisë. Ju falënderoj, shënimet e mia do ia përcjell Ahmetit. Faleminderit që më bëtë pjesë”.

Aktori Ervin Bejleri veç interpretimit ne një prej ndërhyrjeve tha: -“Ahmet, unë dua të të falënderoj që më bëre pjesë të librit “Ministri”. Librat e tu kanë filluar të bëhen si raketat që fluturojnë, janë të gjithë shumë të suksesshëm. Ahmet, dua të të falënderoj që më bëre pjesë të këtij libri. Librat e tu kanë filluar të bëhen si raketat që fluturojnë, ngrihen lart dhe janë shumë të suksesshëm”. E njëjta gjë më aktoren Ola Harizajn e cila interpretoi një pjesë nga libri me një skenë ndryshe nga ritmi i romanit: “Faleminderit! Kërkoj ndjesë, po faji nuk është i imi, por i Ahmetit që na ndezi shqisat që pa gdhirë. Arsyeja pse zgjodha këtë, se m’u duk që u fol shumë politik dhe ka shumë momente kështu që ia vlen”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb