Objekti i këtij shkrimi nuk është “pronari” legjitim që ka 35 vjet që endet gjykatave apo zyrave të agjensive të kthimit të pronave. As pronari i Aeroportit të Vlorës se dihet që është Behgjeti! E as pronari i KAYO-s që është Ministria e Mbrojtjes! E as pronari i ligjit që është Rama, ai që ndan nëse i hanë dardha pas shpine apo t’i fut dardhat me zor SPAK-u në trastë! Por flasim për pronarin e parë dhe më të shquar nga të gjithë.

Pronarin e Partisë Demokratike, që ca e nisën, ca e krijuan e njëri e zotëron. Vetë Doktori! Doktori që nga Konferenca e Jashtëzakonshme e PD në 1992, pavarësisht se e nisi karrierën nga paradhoma e Ramiz Alisë, e përjashtoi Imamin që u përball me Ramiz Alinë si Ramizist. Pashkon e Azemin po ashtu. Por meqë u bë pronar, për Azemin ju prish mendja pas 5 minutash dhe e çpërjashtoi prapë. Ca vite më vonë përjashtoi Selamin që e mëkoi kryetar si njeri që rrëfente bisedat e mocionistëve në Presidencë, e në 2013 e mëkoi sërish si pensionist të parakohshëm. Por pronari nuk heq dorë kurrë nga e drejta natyrore e pronës të patrashëguar, por të rrëmbyer bash si në “far ëest”, kur toka pronë shtrihej deri aty ku binte guri i hedhur për të vënë kufirin e pronës.

Dhe siç do pronar mund ta japë pronën me rentë. E punon dikush që i paguan 30% të rentës e mbjell e korr ç’të dojë, gjithnjë me miratimin e pronarit. Kjo ishte ishte pikërisht koha e Bashës, që si
përdorues i pronës se pronarit zhduku nga parlamenti gjithë fituesit e bashkive të zgjedhjeve të 2015 dhe njëkohësisht dhe memorien e senatorëve. Natyrisht duke marrë urdhër ose miratim nga pronari vetë. Tek fundit Basha qiradhënës ishte, se pronari ishte tjetërkush. Ai që sot vetëpërjashtoi Salianjin! Po, po, e vetëpërjashtoi! Një term që nga sot po pasuron fjalorin politik të 2500 viteve të fundit, që nga Athina e lashtë e këtej. Çfarë nuk kishim dëgjuar prej gojës se gojëve të pronarit për kundërshtarët e tij si fjala vjen karrigethyer, tradhëtarë, të shitur, paterica të regjimit etj.. Por për të “vetëpërjashtuar” nuk kishim dëgjuar ndonjëherë. Sidomos kur vetëpërjashtohen për aludime për të cilat është akuzuar vetë pronari. Si fjala vjen përdorimin e lidhjeve me krimin për të organizuar foltoren, thyer derën e PD në 8 janar etj., pasi ka dhe më shumë se kaq. Aludime gjithmonë. Por më e bukura është se këto aludime para 4 vitesh i bënte Gazment Bardhi për pronarin , e sot po Gaz Bardhi ul kokën duke vetëpërjashtuar Salianjin.

Sepse pronari dhe haremi i tij kanë dhe humor. Pa të do ishte pronar i mërzitshëm dhe vanitoz. Do ishte pronar si gjithë të tjerët që hap e mbyll qepenin sipas qejfit dhe pa ndonjë arsye. Por të jesh pronar partie nuk është si të shesësh rroba apo shlivovicë, por si pronar duhet të tallësh dhe menderen me ata që brohorasin “o pronar o hero, gjithë partia ty të do”! Packa se partia është katandisur në protestat para kryeministrisë sa një autobuz turistësh kinezë, që nuk e kuptojnë pse ata mbajnë kufje në vesh e këta të tjerët pankarta në duar! Tek e fundit turistë ditorë janë të dyja palët! Por përtëj humorit pse jo dhe të zi që PD dhe pronari i saj po na servirin, ka disa të vërteta serioze që e kanë shndërruar opozitën prej 8 vitesh nga alternativë pushteti në një zombie politik.

Papërgjegjshmëria me të cilën sillet e sillen si pronarë të një aseti publik siç ka qenë PD-ja. Ka qënë pasi vështirë së është apo mund të jetë më me këtë sjellje absurde. Të përjashtosh dikë që nis ca takime në bazë pas humbjes së shtatë radhazi të 11 majit dhe turpit të 9 nëntorit, nuk është as humor i zi e as parodi. Por është më shumë vetëvrasje e PD se sa vetëpërjashtim i Salianjit. Salianji mund të fitojë apo të humbë. Kjo mund të ketë rëndësinë e vetë ose jo. Por opozitarizmi nuk është monedhë që e hedh pronari si “kokë a pil” në këtë moment kur qeveria ka rrëzuar veten nga tre herë në ditë. Sepse ai debat që ka nisur nga një anëtar kryesie për gjëndjen mizerabël të PD është debat që i intereson vetë PD, packa se çfarë mendon pronari, ose i vetëemëruari pronar.

Pasi në atë parti edhe anëtari më periferik i saj ka aksionet e veta sado vlerë të ulët të kenë.

E thënë troç PD po vetëpërjashohet nga konteksti politik, dhe nga vetë historia që po shkruhet e do shkruhet në muajt në vijim. Sepse me shumë gjasa Rama mund të ketë dy alternativa: të ikë nga vëndi ose të përfundojë nën akuzë penale. E cfarë bëjnë PD dhe pronari saj? Vetëpërjashtojnë Salianjin duke hequr dhe gurin e fundit që i ka mbetur opozitës nga dështimet e njëpasnjëshme. Atë të çjerrjes fatale së maskës se Partia Demokratike nuk është parti politike opozitare por një çiflig i dikujt që sillet në opozitë më keq se Rama në pushtet!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: