TIRANË- Thirrjes së Ben Blushit drejtuar LSI-së dhe PD-së për mocion mosbesimi ndaj qeverisë duket se nuk janë pritur pozitivisht. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha sot se opozita nuk kërkon përjashtimin e PS-së por zgjidhje gjithëpërfshirëse. Ndërkaq ka reaguar edhe deputeti socialist Taulant Balla. Në përgjigje të deputetit të LIBRA-s, Balla thotë se Blushi ose nuk e kupton ose nuk do ta kuptojë që PD nuk e ka problemin me zgjedhjet dhe qeverinë por me vettingun. Sipas tij, PD do të bllokojë vettingun.

“Ben Blushi ose nuk po e kupton siç duhet, ose nuk do ta kuptojë. Problemi i PD nuk ka të bëjë fare as me zgjedhjet dhe as me qeverinë.

E kemi thënë që ditën e pare, problemi i Partisë Demokratike është vettingu. Prioriteti i tyre numër një është të bllokojnë vettingun. Dje ne ishim të hapur për të negociuar dhe për të gjetur kompromis, ndoshta duke qenë më të gatshëm se sa duhet. Por PD nuk do kompromis apo dialog, sepse ata nuk e duan vettingun.

Më 18 qershor, Kushtetuta i bën thirrje qytetareve për të vendosur se kush do t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme. Partitë politike mund të zgjedhin të paraqesin një alternativë ose jo.

Partia Socialiste do të kërkojë votën e popullit në 18 qershor, sepse respekton Kushtetutën dhe vullnetin e popullit. Dhe sepse ne besojmë se askush nuk mundet ta bllokojë vettingun dhe reformën në drejtësi”, shkruan Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb