Ish-deputeti i PS Spartak Braho i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me propozimin e kryeministrit për emërimin në krye të SHISH të Vlora Hysenit, duke thënë se nuk e kupton këtë veprim pasi kjo e fundit është shkarkuar nga e njëjta detyrë në Kosovë.

Braho tregoi se ligji për kreun e SHISH thotë se ky rol duhet të mbahet nga një person me shtetësi shqiptare, dhe jo të dyfishtë ashtu si Hyseni.

Ai shtoi më tej se Rama “nuk kupton nga punët e shërbimeve”, ndërsa kujtoi një episod ku ka mbajtur në detyrë Visho Ajazin me arsyetimin se “nuk do bënte gjë” edhe pse vetë Braho i kishte thënë se ai “i ka duart me lyera me gjak”.

“Është shkarkuar nga Kurti, Rama e merr në kabinet, nuk e kuptoj. Unë nuk kam vërejtje për atë apo punët e saja. Problemi është se pse duhet të merret një shtetase kosovare. E njoh mirë ligjin për SHISH, duhet të jetë një shtetas shqiptar, jo të jetë me dy shtetësi kreu. Rama ka dështuar me dy ministra që ka marrë nga Kosova, ky është një pozicion shumë delikat.

Kurti e shkarkon, ky e merr, nuk e di çfarë fshihet. Kreu i SHISH duhet të jetë 24 karat shqiptar, nuk dua të vë në dyshim cilësitë e saj, por është një pozicion shumë delikat. E shikoj si çudi, por jo si karshillëk ndaj Kurtit nga ana e Ramës.
Rama nuk kupton nga punët e shërbimeve, e mbajti Visho Ajazin 4 vite shef, ai që kishte vrarë e prerë, dhe e mbajti kryetar të SHISH. I pata thënë ta heqë se i ka duart me gjak, nuk e hiqte. Le të rrijë thoshte se nuk ka çfarë bën.
Jemi në Shqipëri, ka të tjera detyra Shërbimi informativ në Kosovë dhe të tjera probleme ka këtu. Shpresoj se do e bëjë mirë dopio-rolin. Kjo është e tëra intrigë. Për mua shefi i shërbimit duhet të jetë puro shqiptar që të mendojë vetëm për Shqipërinë, kur të bashkohemi me Kosovën le t’i vendosin me dy shtetësi.
Nëse Begaj e vlerëson se është në përputhje me ligjin le ta dekretojë. Unë kam qenë pjesëtar në hartimin për ligjin e shërbimit informativ dhe duhet të jetë vetëm shqiptar shefi”, tha Braho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb