I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shprehu sot shqetësim për “Ligjin për Presidentin” të miratuar kohët e fundit nga parlamenti i Malit të Zi.

I dërguari amerikan ndodhet në Podgoricë, në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një njoftimi të Ambasadës Amerikane në Malin e Zi, gjatë takimit me Presidentin Milo Gjukanoviç, të dy zyrtarët “ndanë shqetësimet e tyre në lidhje me miratimin e Ligjit për Presidentin”.

Ata diskutuan gjithashtu për nevojën e zhbllokimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk është funksionale, pasi parlamenti nuk po arrin të miratojë 4 anëtarë të saj.

Para takimit me presidentin, i dërguri amerikan zhvilloi një takim me kryeministrin në largim, Dritan Abazoviç.

“Mali i Zi duhet të zgjidhë ngërçin politik, të mbetet i përkushtuar në rrugën euroatlantike dhe të kundërshtojë qartë agresionin brutal të Rusisë në Ukrainë”, u shpreh zoti Escobar pas takimit, përmes një postimi në Twitter.

Po sot në Podgoricë po qëndrojnë edhe të dërguarit special të qeverive të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Sarazin.
Përmes një deklarate të përbashkët, ata shprehën shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e vendimmarrësve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

“Parlamenti duhet të konsiderojë me kujdes mesazhin e dëmshëm që do t’u dërgojnë partnerëve euroatlantikë, nëse zgjedhin një kryeministër dhe formojnë një qeveri bazuar në një ligj, përputhja e të cilit me Kushtetutën është shumë e diskutueshme,” thuhet në mesazhin e tyre.

Përfaqësuesit britanikë dhe gjermanë shprehën shqetësimin se shumica parlamentare e miratoi “Ligjin për Presidentin” pa marrë parasysh rekomandimin e Komisionit të Venecias që ligji të mos miratohej.

“Vendimet e marra në parlamentin malazez më 12 dhjetor e përkeqësuan edhe më shumë krizën. Kjo është shumë shqetësuese dhe e dëmshme për Malin e Zi dhe qytetarët e tij”, thanë të dërguarit specialë.

Në një deklaratë të përbashkët, Piçh dhe Sarazin deklarojnë se zgjedhjet parlamentare janë mjeti më i mirë për të kapërcyer ngërçin aktual politik “të cilat duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi Gjykata Kushtetuese të rifillojë punën e saj”.

Gjykata Kushtetuese në Mal të Zi është aktalisht jo funksionale pasi i mungojnë 4 anëtarë. Shumica aktuale në parlament nuk i ka numrat e duhur për zgjedhjen e tyre dhe ka nevojë për votat e opozitës.

Komisioni Evropian i bëri thirrje parlamentit që të tërhiqet nga “Ligji për Presidentin”, duke shprehur frikën se ky veprim do ta zhyste Malin e Zi në kaos kushtetues.

Aktualisht ligji i është dorëzuar presidentit Gjukanoviç, i cili ende nuk është shprehur për të.

Pas miratimit të Ligjit për Presidentin nga parlamenti, Komisioni Parlamentar i Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi për Stabilizim Asociim, anuloi takimin që ishte caktuar për 14 dhjetor.

Kriza e pushtetit në Mal të Zi kulmoi me rënien e qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviq, për shkak të nënshkrimit të një marrëveshjeje nga ana e tij me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën Partia Demokratike Socialiste e presidentit Milo Gjukanoviq dhe një pjesë e opozitës, e konsideruan në kundërshtim me interesat kombëtare.

Pas rrëzimit të qeverisë së Kryeministrit Abazoviç, Fronti Demokratik, partia më e madhe e koalicionit qeverisës, e cila njihet për qëndrimet e saj pro-ruse dhe pro-serbe, propozoi për kryeministër kandidatin e saj, Miograd Lekiq. Presidenti Gjukanoviç e kundërshtoi këtë kandidaturë dhe propozoi zgjedhje të reja.

Kjo nxiti parlamentin të ndryshonte Ligjin për Presidentin, duke i hequr atij disa kompetenca, për të bërë të mundur zgjedhjen e kryeministrit nga parlamenti, pa patur nevojë për miratim nga presidenti. Komisioni i Venecias, e kritikoi ligjin si në shkelje të Kushtetutës.

BE u ka bërë bëri thirrje forcave politike të mos e tensionojnë më tej situatën dhe të punojnë për arritjen e një konsensusi ndërpartiak, si përparësi kryesore. Brukseli thekson se përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit kërkon që të gjithë aktorët politikë të mbështesin funksionimin e institucioneve demokratike./VOA

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb