Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij gjatë protestës para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë për korrupsion dhe paralajmëroi mobilizim qytetar për të mbrojtur rrugën europiane të Shqipërisë.

“Një popull që vuajti shekuj, që njohu regjimet më çnjerëzore dhe varfëritë më ekstreme, nuk mund t’ia mbyllim derën tani për vjedhjet që ka bërë Edi Rama dhe organizata e tij kriminale. Jo, kurrë”, tha Berisha.

Ai theksoi se qytetarët e Shqipërisë nuk do të pranojnë një qeveri që, sipas tij, është qeveri e krimit, qeveri droge, qeveri hajdutësh, anti-shqiptare dhe anti-europiane.

Berisha ftoi edhe policinë që t’i bashkohet protestës së qytetarëve më 10 shkurt,  duke theksuar se nesër është një ditë e madhe për të ardhmen, prosperitetin dhe lirinë e vendit.

“Integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer për Shqipërinë, sepse do të sjellë qytetarë më të lirë, më të mbrojtur dhe një vend më të zhvilluar. Asgjë nuk na ndan nga kjo rrugë. Nesër, zëri ynë duhet të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën”, tha Berisha.

Sali Berisha: A ka krim më të shëmtuar se ky? Një popull që vuajti shekuj, një popull që njohu regjimet më çnjerëzore, varfëritë më ekstreme, një popull që priti dhe pret me padurimin më të madh si arritjen e jetës së këtij kombi integrimin në BE, t’ia mbyllim derën tani për vjedhjet që ka bërë Edi Rama, për vjedhjet që ka bërë organizata e tij kriminale.

Jo, kurrë.

Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, para shqiptarëve se asgjë në botë nuk do mund të pengojë qytetarët e këtij vendi pa hedhur në Lanë qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, qeverinë e hajdutëve, qeverinë anti-shqiptare, qeverinë anti-europiane.

Miq, pra nesër është një ditë e madhe.

Është një ditë e shqiptarëve për Europën.

Është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre.

Është një ditë e shqiptarëve për prosperitetin e tyre, për begatinë e tyre, për lirinë e tyre.

Në qoftë se, ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën, integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, sepse ne besojmë se integrimi do të thotë qytetarë më të lirë, qytetarë më të mëkëmbur, qytetarë më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar.

Asgjë nuk na ndan ne nga kjo rrugë.

Ndaj dhe nesër ftoj qytetarët e Tiranës, këtij qyteti të bekuar, të dalin të gjithë në shesh.

Ftoj shqiptarët të bashkohen, të ngremë zërin tonë, zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë botën se asgjë nuk na shkëput nga qëllimi ynë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb