Një ditë pas protestës së madhe në Tiranë, policia ka shoqëruar 16 protestues.
Shoqërimet vijnë, pas përplasjes mes efektivëve dhe protestuesve gjatë ditës së djeshme.
Protesta duket se ka “dridhur” edhe qeverinë shqiptare. Kryeministri Edi Rama ka anuluar sot mbledhjen e grupit të zgjeruar të Partisë Socialiste, që ishte planifikuar të mbahej ditën e sotme në Pallatin e Brigadave.
Mbledhja ishte parashikuar që të niste në mesditë, ndërsa do të diskutohej mbi praninë besnike dhe platformën “Pasqyra e Shqipërisë”.
Vendimi vjen ndërsa Tirana ditën e djeshme ishte për rreth 9 orë nën pushtetin e protestuesve. Revolta u karakterizua nga dhuna, përplasjet me policinë dhe shoqërime të shumta nga ana e bluve.
Protesta, policia jep detaje: 49 persona të shoqëruar
Policia ka dhënë detaje në lidhje me shoqërimin e protestuesve gjatë protestës së djeshme në kryeqytet.
Efektivët shprehen se 16 persona janë arrestuar, ndërsa 49 të tjerë janë proceduar penalisht.
Mësohet se janë shoqëruar shtetasit Kastriot Vata, Florian Baba, Ali Bruçi, Genc Ibrahimi, Ernest Kapo, Iljaz Sulaj, Besnik Kala, Donik Vatgjoni, Erand Zenunllari, Hamza Bushi, Olsi Vokli, Xhesion Petoku, Klevi Metaj, Berim Gjoka, Kalosh Hysbarjami dhe Korado Aliaj.
“Tiranë/Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 13.10.2026, arrestohen në flagrancë 16 shtetas.
Procedohen penalisht 49 shtetas të tjerë.
Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.
Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
