Avokati i Popullit ka reaguar pas protestës së opozitës të zhvilluar ditën e diel në Tiranë, duke bërë me dije se ka ndjekur nga afër të gjithë itinerarin e tubimit.
Sipas njoftimit zyrtar, grupi i punës i institucionit ka monitoruar situatën në terren, si dhe ka vizituar spitalet dhe komisariatet për të verifikuar rastet e protestuesve të ndaluar apo të lënduar. Nga të dhënat paraprake rezulton se të paktën 12 persona madhorë janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa 4 të mitur janë shoqëruar dhe më pas janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje.
Në Spitali i Traumës, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë administruar ankesën e një protestuesi, i cili pretendon se është ushtruar dhunë ndaj tij nga forcat e policisë. Për këtë rast është bërë me dije se ka nisur një hetim përkatës administrativ.
Gjithashtu, kërkohet transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia, veçanërisht në lidhje me përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave, si gazi lotsjellës apo uji.
Reagimi:
Avokati i Popullit monitoroi përgjatë gjithë itinerarit protestën e opozitës të zhvilluar ditën e diel në kryeqytet.
Grupi i punës së institucionit vizitoi spitalet dhe komisariatet për të parë dhe intervistuar protestuesit e ndaluar apo të lënduar.
Nga të dhënat paraprake, të paktën 12 persona në moshë madhore janë ndaluar, ndërsa 4 të mitur u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.
Në Spitalin e Traumës, ekipi i Avokatit të Popullit administroi ankesën e një protestuesi që raportoi ushtrim dhune nga ana e policisë, për të cilën ka nisur hetimi përkatës.
Raporti e detajuar do të publikohet në përfundim të hetimit administrativ.
Avokati i Popullit gjen rastin të theksojë se ndërsa inkurajon vetëm tubimet paqësore, i bën thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, pavarësisht dinamikës së protestës.
Gjithashtu thekson domosdoshmërinë për transparencë mbi protokollet e përdorura nga policia për përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave si gazi lotsjellës apo uji.
