Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur nga Spitali Ushtarak ku vizitoi protestuesin nga Berati të dhunuar nga policia, ka dënuar ashpër dhunë policore ndaj protestuesve dhe duke akuzuar qeverinë për inskenim të situatës me policë të plagosur.

Berisha paralajmëroi Edi Ramën se, do të mbajë përgjegjësi personale për çdo protestues të dhunuar, duke shtuar se situata në vend nuk do të ketë qetësi për sa kohë, sipas tij, ‘qeveritarët përdorin pushtetin për të mbrojtur veten nga drejtësia’.

Kryedemokrati akuzoi gjithashtu qeverinë për përgatitjen e një ‘show’-u në Spitalin Ushtarak, me disa policë të paraqitur si të plagosur, por që ata ishin larguar nga ambientet e spitalit për të mos u bërë pjesë e një skenari politik. ‘U sollën disa policë gjoja të plagosur dhe pas tyre erdhi ministri për spektakël. Madje ishte planifikuar edhe ardhja e Edi Ramës për të shprehur solidaritet. Por situata u bë qesharake dhe ata u larguan vetë nga spitali’, deklaroi ai.

Në vijim, Berisha u bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit që të mos, përdoren për interesa politike, duke kërkuar të shmangin çdo akt dhune ndaj qytetarëve. Duke e cilësuar protestën si ‘kryengritje paqësore’, Berisha theksoi se opozita do të vijojë aksionin deri në largimin e qeverisë aktuale.

FJALA E PLOTË:
Demonstruesin nga Berati të cilin e kanë goditur në mënyrë kafshërore, në një kohë kur nuk po kryente asnjë veprim të dhunshëm.
Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe e garantoj Edi Ramën se, për çdo protestues të dhunuar ai do të jetë përgjegjës personal direkt.
Sikundër garantoj shqiptarët se në këtë vend paqe nuk ka dhe nuk do të ketë përderisa qeveritarët hajdutë pasi kanë vjedhur qytetarët, qindra milionë e miliarda, përdorin mandatet e krimit si mburojë për të bllokuar sistemin e drejtësisë dhe akuzën, ndryshojnë ligje po si mburojë.
Edi Rama duhet ta ketë të qartë se kjo në mënyrë absolute nuk do të tolerohet kurrë nga kjo opozitë.
Ndaj edhe njëherë shpreh mirënjohjen më të pakufishme ndaj heronjve të protestës së sotme. Ju e patë se çfarë fuqie dëshmuan dhe të garantoj shqiptarët se kjo kryengritje paqësore nuk ndalet gjer në triumfin e plotë: Largimin kësaj organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama nga qeveria.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb