Gazetari Reldar Dedaj, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar protestën e fundit të opozitës, duke u ndalur te roli dhe funksioni që protestat kanë në periudha tranzicioni politik.
Sipas Dedajt, historia politike e vendit tregon se protestat janë përdorur shpesh si instrument presioni, por vetëm ato të viteve 1991 dhe 1997 kanë çuar realisht në largimin e qeverive nga pushteti, pasi kanë qenë protesta jo politike. Ai theksoi se protestat zhvillohen për të ndërkombëtarizuar problematikat dhe çështjet e rëndësishme, për të përshpejtuar rënien e një qeverie, për të krijuar kauza dhe për të mbajtur vëmendjen publike.
Gazetari vuri në dukje se protesta e fundit kishte strukturën e një proteste të menaxhuar. Sipas tij, përmes kësaj proteste, Sali Berisha dha mesazhin se mbetet një faktor politik i padiskutueshëm, ndërsa Partia Demokratike konfirmoi rolin e saj si forca kryesore e opozitës.
Dedaj shtoi se përmes kësaj qasjeje, opozita i ka dërguar një mesazh edhe faktorëve ndërkombëtarë, duke treguar se është e aftë të administrojë tensionin dhe se është e gatshme të ndërtojë një opozitë konstruktive në skenën politike shqiptare.
