Opozita mbylli protestën e saj, në kuadër të “mosbindjes civile” pas 3 orësh, ndërsa në u shënuan disa përplasje të forta mes policisë, deputetëve të opozitës dhe protestuesve.

Në të paktën dy nga pesë pikat ku u protestua, Policia përdori ujin me presion dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Ndërkohë që përplasje pati edhe te Ura e Elbasanit, atje ku nisën tensionet e para mes policisë dhe protestuesve, për të vijuar më pas me Zogun e Zi dhe sheshin Wilson.

Në mbyllje të protestës, Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së për Tiranën, tha se protestuesit nuk u tërhoqën as kur policia përdori forcën dhe dhunën.

“Falënderoj të gjithë qytetarët e Tiranës, demokratët, opozitarët, këdo që iu përgjigj thirrjes së PD për këtë protestë.

Të nderuar protestues ju nuk u tërhoqët edhe pse ju goditën, ju dhunuan, ju lagën me ujë. Jemi të vendosur për të qëndruar përballë regjimit të narko-Kryeministrit, që e ktheu Shqipërinë në një narko-shtet.

Nipi i Enver Hoxhës, ministri i Brendshëm që vite më parë shtrohej në spitalet e Bukureshtit për shkak të overdozës, mendon se me dhunën policore do të mposhtë opozitën. Por gabohen, pasi do të jemi përballë tyre deri në fitore”, tha Këlliçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb