Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, komentoi për emisionin ‘News24 Fundjavë’ të moderatores Megi Latifi protestën e opozitës që u zhvillua dje para Kryeministrisë.
Ajo vuri në dukje se protesta pati pjesëmarrje të jashtëzakonshme, por u përball me dhunë të njëanshme. Xhixho nënvizoi se demokratët po kërcënoheshin dhe po mbaheshin nën terror me gaz lotsjellës.
“Vetëm dy ditë më parë në Kuvend u shpalosën disa alternativa nga deputetët e opozitës, duke nisur nga TVSH për ushqimet, me sigurinë ushqimore, me propozimet e zonjës Tabaku për minatorët, për Akcizën apo dhe pagat e mësuesve, të cilat u hodhën të gjitha në kosh me arrogancë nga mazhoranca. Mendoj se protesta e djeshme, kishte pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Dje kishte një dhunë të njëanshme. Dje ministrja tha se nuk do të mbante përgjegjësi për dhunën në protestë. Kemi parë të infiltruar në protestë. Është hedhur gaz lotsjellës në selinë e PD. Po kërcënoheshin dhe po mbaheshin nën terror demokratët.”, tha Xhixho.
