Në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të PD dega Kavajë, kryetari i PD, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës kombëtare që do të organizohet të hënën më 22 dhjetor.
Berisha vlerësoi rolin e demokratëve të këtij qyteti në rrëzimin e regjimit komunist, dhe organizimin e lëvizjes antikomuniste, si ndër më të fuqishmet në Shqipëri në të cilën ra për të, për të mbetur i pavdekshëm heroi i parë i demokracisë shqiptare, Josif Buda.
“Ishit ju, qytetarët e Kavajës, që u bëtë mburojë dhe tmerr! Mburojë për forcat demokratike në Tiranë dhe tmerr për reaksionin që kishte, që kishte rrëmbyer armët kur u shemb monumenti i Enver Hoxhës dhe donin të ktheheshin në Tiranë me armë. S’guxonin. Nuk guxonin. Vetëm e vetëm se ishte Kavaja. Ishte postblloku i lirisë”, tha Berisha.
Më tej, ai i ka dhënë ultimatum Ramës që të mos pengojë drejtësinë që të hetojë hajdutët e qeverisë.
Kam zgjedhur Kavajën ti jap ultimatum mos guxo, të mbrosh me votat e rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet 90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim ja të rrojmë për liri.
Ndaj dhe nga Kavaja i bëj thirrje mos pengo drejtësinë largohu nga pushteti. Je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre. Asnjë regjim nuk ka përzënë në 10 vite 1 mln e 100 shqiptarë vetëm në Shengen”, tha Berisha.
FJALA E PLOTE
Të dashur miq, lëvizja antikomuniste në Kavajë ishte lëvizje antikomuniste më e fuqishme në Shqipëri. Pas qëndrimeve, demonstrimeve antikomuniste të janarit, erdhi kryengritja e fuqishme paqësore e marsit në Kavajë, në të cilën ra për të, për të mbetur i pavdekshëm heroi i parë i demokracisë shqiptare, Josif Buda.
Por ato dy ditë, përballja me regjimin, ngjitet në nivelin e një legjende.
Të rinjtë që janë sot në këtë shesh duhet ta dinë se ata burra që hodhën dhe shkelmuan në stadium veprat e gjakësorit, po ata që sulmuan komisariatin e policisë, secili prej tyre mund të pritej nga breshëritë e kallashnikovëve dhe të mitralozave.
Por ata kishin një motiv, ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’. Dhe me betejën e tyre ata çliruan Kavajën, qytetin e parë të lirë të Shqipërisë. Me betejën e tyre frymëzuan shqiptarët në Tiranë dhe kudo në të katër anët e vendit.
Ndaj dhe një nderim të pakufishëm, një mirënjohje të thellë për të gjithë djemtë, burrat, gratë e Kavajës që me demonstratat e marsit çliruan qytetin e tyre.
Kavaja e lirë, Kavaja demokratike, që në dhjetor të ’90-ës, luajti një rol përcaktues vendimtar për fatin e Partisë Demokratike.
Ishit ju, qytetarët e Kavajës, që u bëtë mburojë dhe tmerr!
Mburojë për forcat demokratike në Tiranë dhe tmerr për reaksionin që kishte, që kishte rrëmbyer armët kur u shemb monumenti i Enver Hoxhës dhe donin të ktheheshin në Tiranë me armë. S’guxonin. Nuk guxonin. Vetëm e vetëm se ishte Kavaja. Ishte postblloku i lirisë.
Në këto 35 vite, askush më mirë se ju nuk e mbrojti me votën e vet, me votën e e qytetarëve lirinë. Ndaj unë jam shumë mirënjohës që vij këtu, zoti kryetar i bashkisë dhe kryetar partie.
Për të gjetur qytetarë, i, qytetarë të parë, të votuar, të besuar nga qytetarët e Kavajës.
Kam shumë mirënjohje për anëtarët e degës së Partisë Demokratike të këtij qyteti, kontributin e saj.
Miq, në udhëtimin tonë 35 vjeçar, ne ja dolëm. Ja dolëm ta shkëpusim Shqipërinë nga honet e varfërisë në të cilat rrokullisej.
Të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO.
Të lëvizim të lirë.
Të nxjerrim shqiptarët në krye për rroga dhe pensione në rajonin tonë.
Ja dolëm t’i jap, të ndryshojmë, transformojmë infrastrukturën. Pranuam rotacionin si kusht i të gjitha kushteve për të respektuar lirinë e qytetarëve tanë.
Por viti 2013 solli në pushtet një bandë kriminale.
Solli në pushtet pasardhësit e atyre të cilët 45 vite shtypën me egërsinë më të madhe qytetarët shqiptarë.
Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të fshijnë nga harta e Shqipërisë pluralizmin. Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të shuajnë Partinë Demokratike si parti sovrane, të shpirtit dhe zemrave tuaja.
Përpjekje të jashtëzakonshme u bënë të shndwrrojnw Partinë Demokratike në një parti fasadë të Partisë së Krimit. Të gjitha dështuan.
Sot Partia Demokratike vjen në këtë 35 vjetor, ju garantoj unë, po aq e vendosur sa ditën e themelimit të saj, për të përmbysur diktaturën e dytë, të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Sot Partia Demokratike ja doli. Ja doli me mbështetjen tuaj, me mbështetjen e demokratëve, jo vetëm të qëndrojë e fuqishme, por të mbrojë votën e shqiptarëve. Sot në të katër anët e vendit, në të katër anët e botës, është qartësuar se Edi Rama vodhi votën, se Edi Rama s’bëri zgjedhje, por farsë elektorale.
Miqtë e mi, Edi Rama, pasardhësi i xhelatit që vari poetin disident, bën gjithçka të shtypë dhe të shuajë pluralizmin. Ka bllokuar çdo hapësirë në parlament.
Ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Pasi shtroi zgjedhjet në farëz, përdor të gjitha mjetet kundër opozitës dhe qendrestarëve opozitarë.
Pasi vodhi shqiptarët dhe i largoi ata nga Shqipëria më shumë se në çdo kohë tjetër, nga vitet 1300, vitet e kolerës së zezë gjerë sot, kurrë kombi ynë nuk është pakësuar në 10 vite siç ka ndodhur këto vite.
Kurrë shqiptarët nuk janë vjedhur nga qeveritarët siç janë vjedhur këto 10 vite. Dhe tani ka vendosur të bllokojë drejtësinë. Kam zgjedhur Kavajën, t’i jap ultimatum. Mos guxo të mbrosh me vota të rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet ’90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.
Ndaj dhe nga Kavaja i them këtij njeriu, mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti.
Largohu nga pushteti sepse je sjellë ndaj shqiptarëve si armiku më i egër në tërë historinë e tyre. Asnjë pushtim, asnjë diktaturë, asnjë regjim nuk ka përzënë në 10 vite 1 milion e 100.000 shqiptarë vetëm në hapësirën ‘Shengen’.
Asnjë regjim, asnjë pushtim nuk ka çuar shqiptarët 100 vite mbrapa në shtesën e popullatës siç bëre ti këto 10 vite.
Asnjë regjim, asnjë pushtim, nuk ka ngritur në piedestal krimin dhe drogën siç ke bërë ti.
