Pak para nisjes së protestës së PD para Kryeministrisë, kreu i PD, Sali Berisha ka mbërritur në selinë blu. Aty është pritur nga mbështetës të PD, që ishin vendosur që më parë.

Partia Demokratike zhvillon këtë të shtunë një protestë kombëtare para Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit u pezullua nga ushtrimi i funksioneve me vendim të GJKKO, por Gjykata Kushtetuese e riktheu përkohësisht në detyrë, deri në gjykimin në themel të ankimit të bërë nga kryeministri Edi Rama.

Protesta u thirr nga opozita si reagim ndaj skandaleve të Ballukut, pasi u mor e pandehur nga SPAK për korrupsion dhe abuzim me tenderat. Gjithashtu, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Ballukut, por socialistët e shtyn vendimmarrjen e Këshillit të Mandateve për në datën 28 Janar.

Opozita ka paralajmëruar se protestat para Kryeministrisë do të jenë të qëndrueshme dhe vazhdim i një serie aksionesh politike, deri në largimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Nga ana tjetër, policia ka marrë masa të rrepta duke zbritur në terren 1350 efektivë për mbarëvajtjen e tubimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb