Policia e Shtetit ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me protestën e opozitës.

Sipas informacioneve, gjashtë efektivë janë lënduar dhe ndodhen te Trauma ku edhe po marrin trajtim mjekësor. Ndërsa theksohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policise;

Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT.

Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gjatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotovë dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb