Profesori Enver Bytyçi, i pranishëm në protestën e pedagogëve, ka paralajmëruar vijimin e lëvizjes me një thirrje për bojkot të plotë të procesit mësimor, jo vetëm në universitete, por edhe në shkolla.
Nga protesta, Bytyçi kërkoi ndalimin e dhunës, duke e cilësuar këtë si kusht për qeverinë. Ai deklaroi se pedagogët dhe trupa mësimore do të vijojnë të jenë çdo ditë në shesh në mbështetje të studentëve, deri edhe në një grevë urie, nëse do të jetë e nevojshme.
Profesori u shpreh gjithashtu se mbështetja ndaj të rinjve duhet të ishte dhënë më herët, duke përmendur vitin 2018 dhe duke pranuar se studentët nuk janë mbështetur sa duhet.
“Lëvizja do të vijojë me një thirrje të fuqishme: bojkot total, jo vetëm në universitete, por dhe në shkolla. Duhet të ndalet dhuna, ky është kusht për qeverinë. Pedagogët, trupa mësimore, do të jenë në shesh çdo ditë. Do t’i mbështesim deri në grevë urie studentët. Të rinjtë duhet t’i kishim mbështetur që në 2018. I kemi hyrë në hak studentëve.”, tha ai.
