Genti Kame, ish-kandidat për deputet nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, ka folur për protestën e organizuar prej disa ditësh para Kryeministrisë nga kjo lëvizje dhe drejtuesi i saj, Adriatik Lapaj.
I ftuar në studion e News24, Kame u shpreh se protesta ka hyrë në një moment kyç për zhvillimet politike në vend, duke theksuar se Lapaj nuk është tërhequr dhe se qëndrueshmëria e protestës tregon se diçka po ndryshon në Shqipëri.
“Lapaj nuk ka lëvizur fare. Jetojmë në një moment kyç sepse po fryn një erë e re në Shqipëri që shqiptarët duhet ta nuhasin. Diçka po ndryshon dhe shpresoj që shqiptarët të jenë aq të zgjuar sa të kuptojnë se, nëse ky tren po kalon, duhet kapur,” deklaroi Kame.
Ai theksoi se lëvizjet e fundit në drejtësi po prekin si të majtën ashtu edhe të djathtën, ndërsa problemi kryesor, sipas tij, mbetet dëmi i madh që politika u ka shkaktuar qytetarëve. Kame nënvizoi se shumë shqiptarë hezitojnë të dalin në protestë nga frika se mos gabojnë në pozicionimin e tyre.
Në këtë kontekst, ai bëri me dije se lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka thirrur një protestë të re, pa flamuj partiakë. “Mesazhi ynë është i qartë: mbështetje për drejtësinë, dorëheqje e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike me intelektualë dhe njerëz me përvojë profesionale, për të paktën një vit, e më pas zgjedhje të parakohshme,” u shpreh Kame.
Sipas tij, protestës po i bashkohen gjithnjë e më shumë të rinj, ndërsa theksoi se pa sakrificë nuk mund të arrihet asnjë ndryshim i vërtetë.
