Ish-ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku e ka cilësuar legjitime, protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Çejku, në një mesazh në facebook, shkruan se tëi gjithë faktorët, pa dallim bindjesh politike, duhet ta mbështesin, sepse ajo është legjitime dhe tregues i një padrejtësie themelore, që lidhet me përdorimin e gjuhës amtare!

“Për të gjithë përfaqësuesit partiakë shqiptarë në qeverisjet e djeshme dhe të sotme, kam një mesazh: punoni drejt dhe zbatoni deri në fund premtimet ndaj votuesve tuaj kur jeni në karriget e pushtetit, që të mos quheni “hipokritë” nesër në opozitë, kur rreshtoheni përkrah protestuesve!

Problemi i mosdhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është vetem njeri nga shumë problemet e tjera të padrejtësive që janë bërë dhe po bëhen ndaj shqiptarëve, prandaj, në vend të akuzave reciproke – partitë politike të reflektojnë për gabimet dhe lëshimet e bëra dhe të konvergojnë në mbështetje të qytetarëve të tyre!

Për Ministrin e Drejtesisë dhe të gjithë zyrtarët e tjerë, kam një mesazh të qartë: Zbatoni ligjin për gjuhët dhe jepuni të drejtën që u takon studentëve shqiptarë edhe sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit, por edhe sipas të gjitha të drejtave legjitime të një popullsie shteformuese siç janë shqiptarët! Çdo spërdredhje burokratike e shtetarëve të sotëm me të ashtuquajturat “justifikime juridike”, është thikë pas shpine që po i ngulet stabilitetit dhe bashkjetesës nderetnike në Maqedoninë e Veriut, e cila ka mjaft sfida për të kaluar dhe nuk e ka luksin që të bëjë hapa pas dhe të sillet si FYROM-i i viteve 2000!

Edhe ateherë pati burokratë me mentalitet nacionalist, që bënin sikur mbronin nenet e kalbura të ish-kushtetutës, por kostoja e konfliktit qe e madhe për të gjithë vendin dhe të gjitha etnitë!

Mbështes çdo protestë studentore e qytetare, që bëhet për liritë dhe të drejtat e njeriut, për një Maqedoni europiane dhe demokratike si dhe inkurajoj qeverinë aktuale për të gjetur zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë”, shkruan ish-ambasadori Arben Çejku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb