Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara para Kryeministrisë, duke akuzuar policinë dhe qeverinë se po përdorin provokatorë për të krijuar përplasje dhe për të frikësuar qytetarët që janë bashkuar në mbështetje të studentëve.
Në një prononcim për News24, Balliu pretendon se mes personave të pranishëm ka pasur provokatorë të qeverisë, të cilët kanë fyer qytetarët dhe veçanërisht dy gra që ndodheshin në protestë. Ai ka akuzuar gjithashtu policinë për dhunën e ushtruar ndaj të rinjve gjatë protestave.
“Provokatorë të qeverisë, xhepistë të vegjël, provokatorë që shajnë me fjalë të ndyra qytetarët që kanë dalë të mbështesin studentët dhe pseudo-policë që kanë dhunuar dhe sakatuar të rinjtë. Policia sjell këtë llum dhe zhul për të sharë dy zonja dhe qytetarët reagojnë, dhe shumë mirë bëjnë”, është shprehur Balliu.
Në reagimin e tij, deputeti theksoi se qytetarët po mblidhen për të mbështetur lëvizjen studentore, duke nënvizuar se protesta është e të rinjve dhe se ata duhet të mbeten në qendër të saj.
“Protesta është e studentëve. Qytetarët po mblidhen në mbështetje të protestës studentore”, përfundoi Balliu.
