Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar protestën kombëtare të zhvilluar para dy ditësh me thirrjen e opozitës, duke e cilësuar atë si një reagim të domosdoshëm qytetar ndaj një sistemi që, sipas tij, është larg parimeve të shtetit ligjor dhe demokracisë.

Blushi u shpreh se qëllimi i protestës ishte “çlirimi i vendit nga një sekt mafioz që ka grabitur të ardhmen e vendit”, duke theksuar se ajo nuk ishte thjesht një protestë politike. Sipas tij, edhe pse opozita duhet t’i prijë revoltës, nevoja për ndryshim është shumë më e gjerë dhe prek gjithë shoqërinë.

Ai akuzoi regjimin se qëndron në pushtet jo falë vullnetit qytetar, por përmes manipulimit të zgjedhjeve. “Këtë e vërteton grabitja e zgjedhjeve të 11 majit. Vota është vrarë”, deklaroi Blushi, duke nënvizuar se procesi zgjedhor ka humbur legjitimitetin.

Në këtë kontekst, Blushi theksoi se opozita ka një alternativë konkrete për qeverisjen e vendit dhe se, sipas tij, në zgjedhjet e 11 majit nuk kishte një alternativë më të mirë se ajo e ofruar nga opozita.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb