Protestuesit janë stacionuar para godinës së Kryeministrisë, pasi marshuan nga Sheshi Skënderbej në kuadër të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e cila ka hyrë këtë të premte në ditën e 69-të.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt selisë së qeverisë, ku po vijojnë tubimin me thirrje dhe slogane kundër mazhorancës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe hetimin e tij nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Prej 69 ditësh, protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë aksionin qytetar dhe se nuk do të tërhiqen pa u përmbushur kërkesat e tyre.
Edhe këtë mbrëmje, para Kryeministrisë janë dëgjuar thirrje si: “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet” dhe “Bashkimi bën fuqinë”.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa kanë paralajmëruar përshkallëzim të aksionit, përfshirë bllokime rrugësh, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.
Protestuesit theksojnë se do të vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij nga SPAK.
