Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një përpjekje për të përballuar krizën e thelluar nga bllokadat rrugore dhe protestat masive që kanë paralizuar ekonominë e vendit për më shumë se 50 ditë.
Vendimi u bë publik gjatë një fjalimi drejtuar kombit dhe hap rrugën për angazhimin e forcave të armatosura brenda territorit, me qëllim rivendosjen e rendit publik dhe zhbllokimin e akseve kryesore të transportit.
Ky zhvillim vjen vetëm disa orë pasi qeveria kishte njoftuar një marrëveshje me konfederatën kryesore sindikale të vendit, Central Obrera Boliviana, e cila kishte shpallur heqjen e masave të presionit. Megjithatë, marrëveshja nuk përfshin të gjithë sektorët e mobilizuar në protestë, duke lënë jashtë disa grupe të rëndësishme sociale dhe ekonomike.
Ndërkohë, organizatat e fermerëve dhe kultivuesit e kokës në rajonin e Chapare-s, një zonë e njohur si bastion i ish-presidentit Evo Morales, kanë vijuar protestat dhe bllokadat. Përfaqësues të tyre kanë deklaruar se do të intensifikojnë veprimet në rrugë.
“Vëllezërit indigjenë ndihen të tradhtuar”, u shpreh Antonio Malcu, një nga drejtuesit e organizatave të tregjeve, duke kritikuar marrëveshjen mes qeverisë dhe sindikatës kryesore. Kriza politike dhe sociale në Bolivi mbetet e hapur, ndërsa vendi përballet me një përshkallëzim të tensioneve dhe pasigurisë në disa prej zonave kryesore ekonomike dhe rurale.
#Bolivia | El presidente Rodrigo Paz Pereira decreta Estado de Excepción en todo el territorio nacional, ante la situación de conflictividad y emergencia que vive el país.
// Gestileza Bolivia Tv (Mensaje presidencial) pic.twitter.com/pC6q7d7fon
— Noticias Bolivianas (@eabolivia) June 20, 2026
