Analisti Edvin Kulluri ironizoi foltoret e PD para Kryeministrisë duke deklaruar se dalin gjithnjë e më pak njerëz në takimet e thirrura nga lidershipi demokrat, Sali Berisha.
Në studion e News24 me Ina Qirjo, Kulluri tha se Berisha thotë “bravo populli i Iranit”, duke iu referuar protestave në Teheran dhe qytete të tjera kundër regjimit të Ajatollahut, por nga ana tjetër e njëjta frymë nuk ekziston tek opozita shqiptare dhe mbështetësit e saj.
Protesta më e vërtetë e vitit, tha Kulluri, ishte ajo e Ervin Salianjit të shtunën kundër lidershipit demokrat në Korçë, për dështimet e njëpasnjëshme të tij.
Edvin Kulluri: Protesta më e vlefshme dhe më e suksesshme këtë vit ka qenë protesta e Salianjit në Korçë, protestë kundër lidershipit të PD për dështimet e njëpasnjëshme pas rikthimit të Berishës në krye të partisë. Vijoi ciklin e dështimeve nga 2017 e deri në 2021 nga zoti Basha dhe faktikisht të njëjtin ekip ka Berisha sot përreth, i njëjti ekip dhe e njëjta kupolë ka dështuar me sukses në 8 vite kur morën përgjegjësinë për të drejtuar të vetëm PD pasi morëm goditje ne pjesa kritike në 2017 dhe vazhduan aventurën duke listuar vetëm listën e humbjeve. Ky është realiteti i ftohtë.
Opozita është e fragmentuar, me disa aleatë që janë të njëjtët ata që kanë qenë. Partitë e vogla nuk i bashkohen tryezës.
Ka edhe një diskutim të madh brenda PD sot, për numrin e pjesëmarrësve në sallat e Berishës dhe Salianjit. Tek Salianji pjesëmarrës janë 30-40-45 vjeçarë, ndërsa te Berisha janë 80-115 vjeç…këta janë e ardhmja e PD që kanë 30 vjet që kanë dalë në pension. Berisha thotë bravo popullit të Iranit që dali në çdo qytet 5-10 mijë njerëz, janë vrarë mbi 500 persona, po sakrifikojnë jetën për lirinë… dhe këta nuk sakrifikojnë kolltukun për të parë Big Brother, anëtarët e Këshillit Kombëtar për të dalë te Kryeministria, për turpin e tyre, por mjaft është mjaft, tallen me njerëzit, tallen me militantët e PD, tallen me fatet e këtij vendi. Qeveria është e dështuar dhe me kusure të mëdha ku flitet kur do arrestohet njëri dhe kur tjetri. Dhe opozita mbledh më pak njerëz se shoqata e gjuetarëve të Korçës siç e tha Salianji, por do thoja sa gjuetarët e Cërrikut…
