Djali i Shahut të fundit të Iranit dhe një figurë emblematike e opozitës iraniane në mërgim në SHBA, Reza Pahlavi, u bëri thirrje dje (11/01) forcave iraniane të sigurisë që të “bashkohen me popullin”, ndërsa regjimi teokratik në Teheran përpiqet të shtypë protestat më të mëdha të viteve të fundit në vend me dhunë ekstreme, me numrin e të vdekurve që tani vlerësohet në mbi 500.
“Punonjësit në institucionet publike, si dhe anëtarët e forcave të armatosura dhe shërbimeve të sigurisë, kanë një zgjedhje për të bërë: të qëndrojnë pranë popullit dhe të bëhen aleatë të kombit ose të bëhen bashkëpunëtorë të vrasësve të popullit – dhe t’i sjellin kombit turp dhe dënim të përjetshëm”, tha Reza Pahlavi nëpërmjet X në persisht dhe anglisht.
Duke iu drejtuar shtetasve iranianë “jashtë Iranit”, ai theksoi se “të gjitha ambasadat dhe konsullatat i përkasin popullit iranian”, duke u bërë thirrje atyre që t’i “zbukurojnë” këto ndërtesa me “flamurin kombëtar të Iranit”, me sa duket duke iu referuar flamurit të ish-monarkisë që u rrëzua në revolucionin islamik të vitit 1979 dhe u zëvendësua nga ai i Republikës Islamike.
Dje, të shtunën, qindra njerëz demonstruan përpara ambasadës iraniane në Londër, dhe një burrë u ngjit në ballkonin e ndërtesës për të zëvendësuar për pak kohë flamurin e Republikës Islamike me atë të monarkisë.
Shqetësimet po rriten në lidhje me shtypjen e protestave në Iran, i cili është izoluar nga pjesa tjetër e botës për shkak të ndërprerjes së aksesit në internet, pas demonstratave të reja të mëdha kundër qeverisë, më seriozet në tre vjet.
Videoja e protestave e publikuar nga Iran International tregon protestuesit në qytetin e Mazandaran në pjesën veriore të vendit duke brohoritur rregullisht “Rroftë mbreti”.
