Tensione të reja janë regjistruar përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të autobotit të ujit të Policisë së Shtetit, i cili ndodhet brenda perimetrit të godinës qeveritare.

Incidenti është shënuar gjatë ditës së 13-të të revoltës studentore, ndërsa protestuesit vijojnë tubimin kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Autoboti i ujit është mbajtur në gatishmëri nga forcat e rendit për ndërhyrje të mundshme në rast të përshkallëzimit të situatës. Deri tani nuk ka informacion nëse mjeti është dëmtuar nga gurët.

Protesta e sotme nisi përpara Ministrisë së Arsimit, ku u regjistruan edhe hedhje gurësh drejt godinës, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë.

Gjatë tubimit, protestuesit u vunë flakën karrigeve që kryeministri Rama kishte vendosur mëngjesin e sotëm përpara godinës, si simbol të ftesës së tij për dialog.

Tensione janë regjistruar edhe përpara Kuvendit, ku u hodhën gurë drejt efektivëve të policisë dhe godinës së Parlamentit, duke shkaktuar thyerjen e disa xhamave në katin e parë.

Protesta zhvillohet një ditë pas plagosjes së rëndë në sy të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli nga një plumb gome, ngjarje që ka nxitur reagime të shumta dhe akuza ndaj policisë për përdorim të tepruar të forcës.

Ndërkohë, studentët dhe qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa situata përpara institucioneve shtetërore mbetet e tensionuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb