Për të tetën natë radhazi, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën me sloganin “Jo në emrin tim”, në kundërshtim të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të shkallës së parë dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Në shesh janë vendosur pankarta dhe mesazhe në mbështetje të tyre, ndërsa “Jo në emrin tim” vijon të jetë slogani kryesor i protestës.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe një ligji të posaçëm, pas hetimeve që pasuan pretendimet e ngritura në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga Dick Marty.
Pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë një nismë ligjore për ndryshimin e ligjit për Specialen, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara nuk synojnë zhbërjen e saj. Ndërkohë, në protestat e përnatshme në Prishtinë dhe në tubimet e organizuara nga veteranët e UÇK-së, është kërkuar ndryshimi i ligjit ose zhbërja e Speciales, si dhe rritja e mbështetjes së shtetit gjatë fazës së apelimit.
Procesi i apelimit pritet të zgjasë për vite, ndërsa katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Protestat lidhen edhe me rëndësinë që lufta e Kosovës vazhdon të ketë për shumë qytetarë, veçanërisht për të rinjtë që janë rritur pas përfundimit të saj. Gjatë viteve ’90, Serbia e cilësonte UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa në Kosovë ajo shihet si organizata që luftoi kundër forcave serbe dhe jugosllave gjatë konfliktit.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999 janë dokumentuar 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe. Ndërkohë, më shumë se 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
