Nga Ethem Aga
Protesta e së shtunës meriton, mbi të gjitha, një falënderim të veçante dhe thellësisht të sinqertë për çdo qytetar që ishte i pranishëm në shesh, një shesh që lindi si domosdoshmëri dhe u shndërrua në shpresë. Anëtarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, por edhe qytetarë te Tiranes dhe të gjithe Shqipërisë të paangazhuar politikisht, u mblodhën me dhjetëra mijëra. Ata nuk duhen parë si shifra, por si vlerë, si forca që tremb çdo regjim, sado i egër apo i sigurt në pushtetin e tij të duket.
Të protestosh është një detyrë qytetare. Por të protestosh në kushtet e Shqipërisë së sotme është një akt që i afrohet heroizmit, kur përballë ke një pushtet që nuk njeh limite, norma, ligj apo raport njerëzor me qytetarin që mendon ndryshe.
Reagimi joproporcional i policisë ndaj protestuesve ishte i dukshëm, veçanërisht përmes përdorimit masiv të gazit lotsjellës të skaduar. Dhjetra protestues si dhe gazetare qe transmetonin ne direkt protesten, u lenduan. Ky veprim, përveçse i rrezikshëm për shëndetin, ekspozoi qartë skadencën morale dhe politike të qeverisë shqiptare. Një qeverisje e helmatisur nga korrupsioni i shfrenuar dhe krimi i organizuar nuk njeh më kufij dhe kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht, duke e shndërruar dhunën në mjet qeverisjeje.
Përballë kësaj situate, opozita politike duhet të tregojë vendosmëri të plotë dhe të mos ndalet. Protestat duhet të jenë të vazhdueshme, me qëllime të qarta dhe të deklaruara hapur, deri në rrëzimin e qeverisë, pa kthim pas. Njëkohësisht, opozita duhet të kuptojë se beteja me pushtetin kërkon edhe lëvizje të brendshme politike. Analizat në çdo bazë duhet të thellohen dhe të intensifikohen. Mendimi qytetar vlen më shumë se çdo “platformë politike”, sepse baza është shtylla që mban në këmbë Partinë Demokratike, forcën politike që lindi si shpresë në vitin 1990 dhe që me të drejtë mban krenarinë e përmbysjes së regjimit te urryer komunist.
Paradoksalisht, 35 vite më vonë, PD përballet sërish me një regjim që, nëse nuk është totalitar, është padyshim autoritar, një regjim që bashkëjeton me korrupsionin galopant qe nuk njeh limit, krimin e organizuar dhe përqendrimin e ekonomisë në duart e pak individëve. Kësaj të keqeje duhet t’i përgjigjemi me shembull: në ballë të çdo revolte duhet të jemi ne dhe çdo qytetar i dhunuar nga policia duhet të dijë se gëzon mbështetjen tonë të plotë.
Njëkohësisht, opozita shqiptare ka detyrimin të informojë kancelaritë diplomatike të botës perëndimore për situatën reale në Shqipëri. Çdo shkelje e së drejtës për të protestuar, çdo akt dhune nga forcat policore që kanë njollosur uniformën e shtetit duke u veshur me “uniformën politike” të pushtetit, duhet të denoncohet me vendosmëri dhe pa kompromis.
Kur krimi dhe korrupsioni ushtrojnë pushtetin e institucioneve, protestat dhe mosbindja qytetare janë ligji i vetëm!
Diaspora shqiptare është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm. Kam bindjen se ajo do të luajë një rol kyç në përcjelljen e problematikave të qeverisjes dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Emigrantët shqiptarë i ndjekin me interes zhvillimet në vend, sepse rrënjët e tyre janë këtu: prindërit, vëllezërit, motrat dhe fëmijët. Për këtë arsye, Partia Demokratike ka detyrimin të mbajë kontakte të vazhdueshme me këtë vlerë të madhe njerëzore që na përfaqëson denjësisht në çdo cep të botës.
Protesta e djeshme e arriti qëllimin e saj. Tani është në duart e forcës sonë politike që kauzat e drejta qytetare të mos mbeten përgjysmë.
Për ta dhe me ta, në çdo nismë.
Rroftë Shqipëria e lirë dhe Demokratike.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "
Balkanweb" mjafton të klikoni:
Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb