Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i pranishëm sot në protestën e organizuar nga banorët e Unazës së Re, kundër prishjes së shtëpive të tyre në këtë zonë.

Basha në fjalën e tij deklaroi se pa dërguar në burg Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk mund të ketë Shqipëri europiane.

“Prokuroria është e kapur dhe ka kamikazë politikë në gjykata dhe në Prokurori. Prandaj Rama nuk përgjigjet para ligjit, sepse ai e ka kapur Prokurorinë. Balla është sot njeriu i cili mbështet një trafikant droge për ndërtime pa leje. Damian Gjiknuri që iu përfshi emri në afera korruptive.

Saimir Tahiri që dihet botërisht ka lidhje me bandat e trafikut të drogës. Shqipërisë nuk do i hapen rrugët në Europë me një mashtrues dhe pa cuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin nga i pari tek i fundit. Opozita e bashkuar sot qëndron në krah të baballarëve, për një Shqipëri europiane dhe jo Shqipëri vend kriminelësh e hajdutësh. Ne luftojmë për Kushtetutë dhe ligj. Pa u çuar para drejtësisë Rama dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Beteja jonë është për një Shqipëri ku politikanët të dënohen si qytetarët e thjeshtë. Unë kam respekt për çdo gazetar, por ka pronarë mediash të korruptuar”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se ka një vit që banorët te Unaza e Re terrorizohen, kurse shtoi se policët që janë njësoj në nevojë si populli, fatkeqësisht po mbrojnë anën e gabuar, atë të krimit.

“Prej një viti ndaj banorëve të Unazës së Re po ushtrohet terror. Qeveria po devijon projektin e Lanës, për t’i dhënë mundësinë një trafikanti, mik të Ramës e të Ballës, që do të pastrojë paratë e krimit në kulla. Policët, të cilët janë në hallin e tyre dhe marrin paga të ulëta, por janë rreshtuar në anën e gabuar. Gjykata ka vendosur të lërë në burg sot 3 baballarë”, tha Basha.

Deklarata e plotë e kreut demokrat Lulzim Basha:

Europa e do Shqipërinë. Europa i do shqiptarët. Dështimi i sotëm nuk është dështimi i asnjë shqiptari të ndershëm, nuk është dështimi i Shqipërisë. Është dështimi i një njeriu që ka marrë peng Shqipërinë. Ky dështim mban vulën dhe firmën e të njëjtit njeriu që firmosi dhe vulosi aferrën korruptive tek Unaza e Re, që firmosi dhe vulosi vjedhjen e zgjedhjeve.

Pa u hetuar dhe pa u çuar para drejtësisë Edi Rama dhe gjithsecili prej bashkëpunëtorëve të tij nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri europiane. Këtë e kemi thënë prej fillimit ne demokratët, ne opozitarët, këtë sot e ka thënë me një gjuhë të qartë edhe Brukseli. Europa ka treguar se sa e drejtë dhe legjitime është kauza me të cilën nisi beteja e opozitës, beteja e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë.

Kjo nuk është një betejë për pushtet. Kjo nuk është nëj betejë për veten tonë. Nuk është betejë për karrige. Kjo është betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë jo vetëm këtij regjimi hajdutësh, kriminelësh, pa drejtësi, pa gjykata, një regjimi i cili ka asgjësuar bazën e bashkëjetesës demokratike, votën e lirë.

Beteja jonë është që një herë e mirë t’i japim fund këtij tranzicioni të tmerrshëm, plot me vuajtje dhe dhimbje dhe padrejtësi dhe të hapim për të gjithë shqiptarët, pa dallim bindje politike, një kapitull ku politikanët të mbahen përgjegjës para ligjit njësoj si çdo qytetar i thjeshtë dhe sa herë që ta shkelin ligjin, të marrin dënimin e merituar nga një drejtësi e pavarur.
Për një Shqipëri kur kurrë më të mos cënohet vota, vjedhja e votës, blerja e votës, shkatërrimi i zgjedhjeve me krimin e organizuar, kapja dhe blerja e medias, mbyllja e zërit të gazetarit të lirë; janë tipare të një vendi autokrat dhe kriminal. Ato nuk janë tipare të një Shqipërie europiane ashtu siç e duam dhe luftojmë të gjithë sëbashku.

Por miqtë e mi, koha kur Shqipëria po ecën indietro po merr fund.
Koha kur Shqipëria sundohet nga paligjshmëria do të marr fund shumë shpejt. Gjashtë muaj më parë kur e nisëm këtë betejë, shumëkush nuk besoi, na talli dhe na përqeshi.

Sot Europa flet me gjuhën e qytetarëve të bashkuar që duan ndryshim, duan transformim të thellë politik dhe ekonomik që besojnë tek Shqipëria, që besojnë tek demokracia, që besojnë tek liria, që besojnë tek familja, besojnë tek atdheu, besojnë tek Europa.

Zoti ju bekoftë ju shqiptarë të lirë dhe të ndershëm!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Fitore!

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb