Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i ftuar në studion e News24, ka komentuar aksionin opozitar dhe valën e protestave të ndërmarra nga Partia Demokratike.

Duka theksoi se brenda strukturave të opozitës, veçanërisht në Partia Demokratike e Shqipërisë si forca kryesore opozitare, duhet të ekzistojë një strukturë e posaçme që mat dhe analizon sensibilitetin e publikut shqiptar për protesta.

“Unë gjykoj se brenda strukturave të opozitës dhe PD si partia kryesore, duhet një zyrë që merret me sensibilitetin e publikut shqiptar. Nëse ka sensibilitet për protestë, atëherë të organizohet protesta. Nëse ndërthuren këto mund të ketë rezultat,” u shpreh ai.

Sipas Dukës, organizimi i protestave duhet të jetë i lidhur ngushtë me reagimin dhe gjendjen reale të qytetarëve, duke shtuar se frekuenca e lartë e tyre mund të ulë efektivitetin.

“Besoj se protestat kur bëhen kaq shpesh nuk japin rezultat si duhet. Protestat duhet të bëhen atëherë kur duket se ka zemërim nga populli shqiptar, jo vetëm nga një pjesë e strukturave të PD,” theksoi kreu i Partisë Agrare Ambientaliste.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb