Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci vlerëson se protestat në Shqipëri kanë humbur sensin dhe seriozitetin e tyre, kryesisht për shkak të diskreditimit të partive politike.

I ftuar në “Studio 24” në News24, Goci theksoi se në vitet e fundit ka ndryshuar rrënjësisht kuptimi i protestës, duke u larguar nga thelbi i saj si akt social.

“Ka ndryshuar jeta sociale dhe politike vitet e fundit, ka ndryshuar edhe kuptimi për protestën. Në Shqipëri po vdes iluzioni që ‘po ngrihem unë dhe po bëj një protestë kundër teje’. Protesta është akt social, por ne e kemi trajtuar si akt komunikimi dhe e kemi zbrazur nga përmbajtja,” u shpreh ai.

Ai ironizoi protestat me karakter politik, duke thënë se shpesh ato zgjasin me vite pa prodhuar asnjë efekt konkret.

“Nëse një protestë zgjat 10 vjet dhe ai kundër të cilit bëhet vazhdon ‘të krehë vetullat’, atëherë nuk ka pasur realisht protestë,” tha Goci.

Megjithatë, pedagogu veçoi protestën e fermerëve të zhvilluar më 7 prill si një shembull pozitiv dhe kuptimplotë.

“Protesta e fermerëve është protestë e vërtetë. Është iniciuar nga vetë ata, kanë mjete për të bërë rezistencë dhe kërkojnë diçka konkrete. Është më e rëndësishme dhe më themelore se shumë të tjera,” theksoi ai.

Sipas Gocit, problemi kryesor mbetet humbja e besimit te politika dhe mungesa e forcave serioze që të përfaqësojnë qytetarët.

“Protestat e kanë humbur sensin dhe partitë politike janë diskredituar. Ka ardhur momenti që një parti, nëse do të protestojë, duhet të ketë një program serioz që t’i bindë qytetarët,” u shpreh ai.

Në analizën e tij, Goci përmendi edhe disa nga protestat më të rëndësishme ndër vite në Shqipëri, duke vlerësuar atë studentore si më domethënësen, ndërsa protestën kundër armëve kimike e cilësoi si “protestë paniku”.

Ai shtoi se protestat më efektive janë ato më pak të zhurmshme, por me qëllim të qartë dhe që arrijnë të prodhojnë rezultate konkrete.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb