Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar në emisionin “News24 Fundjavë” në News24 protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat po mbahen në shenjë kundërshtimi ndaj disa projekteve që qytetarët i konsiderojnë të dyshimta, përfshirë edhe ndërtimet në zonën e Zvërnecit.

Mërtiri i ka cilësuar protestat si “fantastike”, duke theksuar se ato tregojnë se reagimi qytetar në Shqipëri është ende i gjallë dhe i fortë. Sipas tij, pakënaqësia ndaj klasës politike ka arritur në një nivel të tillë, sa qytetarët nuk udhëhiqen më nga interesat politike apo nga kush fiton zgjedhjet, por nga nevoja për të shprehur indinjatën e tyre.

Ai u shpreh se kjo situatë i jep më shumë fuqi qytetarëve për të ndikuar drejtpërdrejt në vendimmarrje, duke theksuar se mungesa e një opozite të fortë ka rritur, sipas tij, ndjenjën e arrogancës në qeverisje. Mërtiri tha gjithashtu se media ndërkombëtare po tregon interes për këto protesta, të cilat ndryshe nga raste të tjera nuk lidhen vetëm me pakënaqësi të përgjithshme, por me kundërshtimin e një projekti konkret me ndikim të gjerë. Ai tha se Rama po e humbet fillin dhe se me arrogancë bëri dhe një gafë kur reagoi dhe tha se bëhet fjalë për rreth 500 veta. Mes të tjerash Mërtiri shtoi se asnjë qeveri nuk mbijeton dot kur para saj ka një turmë të madhe qytetarësh.

Sipas tij, kjo situatë ndikon edhe në imazhin e Shqipërisë, pasi tregon se qytetarët nuk pranojnë shtypje apo forma autoritare të qeverisjes. Ai kritikoi ashpër qeverinë, duke e cilësuar si të papërgjegjshme dhe duke përmendur, sipas tij, probleme të lidhura me korrupsionin dhe kriminalitetin, ndërsa shtoi se protestat tregojnë ekzistencën e një “shpirti demokratik” në shoqëri.

“Është një protestë fantastike, që tregon se shpirti i reagimit të shqiptarëve ‘nuk ka vdekur’. Tashmë ka shkuar deri aty indinjata dhe pakënaqësia te klasa politike, sa qytetarët nuk pyesim më se kush fiton, por ngrihen dhe shprehin indinjatën. Kjo i jep dorë qytetarit që të vendosë vetë për fatin e vetë. Kjo qeveri ka shkuar në nivel të thellë arrogance, pasi përballë nuk ka një opozitë të fortë. Mediat ndërkombëtare janë të interesuar se ndryshe ndaj protestave të tjera, kjo nuk ka vetëm një pakënaqësi. Qytetarët janë ngritur kundër një projekti që pas saj ka dhëndrin e Trump. Kjo ka interes të gjerë global. Kjo e ka përmirësuar imazhin e shqiptarëve, pasi tregon se ata nuk pranojnë shtypje, autokracinë. Qeverisja e Ramës, është e papërgjegjshme, ku ka trafiqe dhe rritje të kriminalitetit, por protesta tregon se ka shpirt demokracie. Ky nuk është një popull i fjetur, por që di të reagojë. Kjo protestë na e ka zbardhur faqen kudo në botë, përballë një politike që ka prodhuar tension, korrupsion e molotov. Ky është një lajm i mirë që i ndihmon shqiptarët kudo në botë.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: