KOSOVË- Një ditë pas protestës së dhunshme në Prishtinë, ku dhjetëra policë dhe protestues mbetën të lënduar, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vizituar selinë e Lëvizjes Vetëvendosje ku është takuar me kryetarin në ikje, Albin Kurti dhe kandidatin për kryetar Visar Ymerin.
Mësohet se Zhbogar ka diskutuar me përfaqësuesit e Vetëvendosjes mbi kërkesat e protestuesve: shkarkimin e Aleksandër Jabllanoviç dhe shndërrimin e Trepçës në ndërmarrje publike.
Kurti dhe Ymeri theksuan edhe njëherë se Jabllanoviç duhet shkarkuar për shkak të sulmeve të tij ndaj historisë së Kosovës, përmes mohimit të krimeve të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë në Kosovë, si dhe për shkak të konceptit politik që ai përfaqëson për ta bërë Kosovën sa më të dobët karshi Serbisë. Nuk dihet ende roli që do të marrë BE-ja në këtë “konflikt”, por qëndrimi kundrejt dhunës në protestë ka qenë mëse i qartë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur më parë se dhuna e ushtruar gjatë protestave është tërësisht e papranueshme. “Nxisim udhëheqësit politikë të të dyja palëve, koalicionin dhe opozitën, që të bashkojnë forcat e tyre për t’iu dhënë përgjigje njerëzve. Vendi më i përshtatshëm për këtë është Kuvendi”-ka bërë të ditur zyra e BE-së.
(m.k/BalkanWeb)
