Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se protestat në Surrel janë pjesë e agjendës së opozitës, duke theksuar se fokusi kryesor mbetet Tirana.
“E rëndësishme është të mos shkulemi nga Tirana. Sa për Surrelin, ai mund të rrijë edhe jashtë shtetit e të mos kthehet. Nuk lëshon karrige ai në atë mënyrë. Në Surrel çuam një detashment. Protestat në Surrel janë në agjendë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se të gjithë deputetët e opozitës kanë qenë të pranishëm në protesta, disa pranë grupeve të qytetarëve në zonat e tyre, ndërsa të tjerë të shpërndarë, me qëllim mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e protestuesve gjatë përballjeve me policinë.
Berisha akuzoi policinë për pengesa dhe sjellje arbitrare, duke deklaruar se deputetëve nuk iu lejua të shkonin në komisariate për të takuar protestuesit e ndaluar. “Një ushtar i Agasit, me mbiemër Shahini, nuk lejoi deputetët të shkonin të shikonin protestuesit në komisariate”, tha ai.
Sipas Berishës, veprime të tilla tregojnë se qeveria po përdor presionin policor për të frenuar protestat qytetare, ndërsa opozita do të vijojë mobilizimin dhe praninë në terren.
