Gazetari Fejzi Hajdari ka komentuar në një intervistë në “News24” protestën e zhvilluar në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të cilët kërkojnë që ë zhvillojnë provimin e Jurisprudencës në Gjuhën Shqipe.

Ai u shpreh se Gjuha Shqipe është me rëndësi jetike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shtoi se asnjë parti politike shqiptare në RMV nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje.

“Në çdo fushatë zgjedhore nuk ka ngelur parti shqiptare, “pa e zgjidhur” këtë problem. Madje ka pasur parti politike shqiptare, që nëpër fushatë kërkonte edhe një mandat që ta zgjidhte Gjuhën Shqipe. Por po të ishte zgjidhur sot nuk do të flisnin për këtë situatë. Por të paktën studentët me zërin e tyre dhe protestat e rikthyen dhe e njohën opinionin me këtë çështje. Por problemi madhor dhe jetik për shqiptarët sot në RMV është një ligj për Gjuhën Shqipe njësoj si për Maqedonishten”, tha mes të tjerash ai.

Më tej ai nënvizoi se studentët kërkojnë respektin e ligjit të gjuhëve dhe shtoi se duhet një ligj për Gjuhën Shqipe dhe të jetë e barabartë më gjuhën maqedonase.

“Faktori politik shqiptar nuk e ka kryer atë premtim që e ka patur që nga viti 1991. Ky është problem që e kanë lënë të zvarritet nga një qeveri tek tjetra”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb