Aktivisti dhe aktori i njohur Florjan Binaj, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka ngritur shqetësime mbi rënien e aktivizmit dhe mungesën e protestave në Shqipëri.
Binaj u shpreh me nostalgji për protestat e mëparshme, duke theksuar se ato dikur ishin hapësira ku shkëmbeheshin ide dhe ndërtoheshin forma konkrete veprimi. Sipas tij, sot protestat po tkurren dhe po humbasin rolin e tyre.
“Kam nostalgji për çdo protestë. Më vjen keq që ato po marrin formën e një pellgu gjithnjë e më të vogël dhe nuk janë më oazi ku lindnin idetë dhe veprimet”, u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si reagimi qytetar është zhvendosur në rrjetet sociale, ku shpesh dominojnë debatet virtuale, meme-t dhe përplasjet online, ndërsa pjesëmarrja reale në protesta ka rënë.
Sipas Binajt, shtimi i profileve anonime në rrjetet sociale tregon një klimë frike, ku qytetarët shmangin shprehjen e hapur të mendimit për shkak të pasojave të mundshme. “Njerëzit kanë frikë të flasin, madje edhe të shprehen me emrin e tyre”, tha ai.
Aktivisti theksoi se kur mungon liria për të shprehur mendimin dhe bie rëndësia e vlerave, shoqëria përballet me kaos dhe pasiguri.
Ai solli në vëmendje disa nga protestat që i konsideron më të suksesshme në vend, si ato të studentëve, kundër armëve kimike dhe protestat e vitit 2022 për rritjen e çmimeve, duke shtuar se sot vendi po përballet sërish me të njëjtat problematika.
Në fund, Binaj kritikoi qeverinë, duke e akuzuar për distancim nga qytetarët dhe mungesë interesi për vështirësitë e tyre ekonomike, ndërsa sipas tij, presioni ndaj qytetarëve lidhet kryesisht me interesat elektorale.
