Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka nisur një protestë para godinës së News24, e cila prej mëngjesit të së shtunës, 9 gusht, është zaptuar nga Policia e Shtetit pa vendim gjyqësor, pa praninë e përmbaruesit dhe pa njoftim paraprak.
Në protestë marrin pjesë gazetarë, personazhe publike, politikanë dhe aktivistë, që shprehin solidaritet me kolegët e News24 dhe mediave të tjera të grupit Focus Media News dhe Panorama Group.
Aktualisht, 230 gazetarë, staf teknik dhe punonjës nuk lejohen të hyjnë në ambientet e News24, BalkanWeb dhe Panorama, ndërsa sinjali i transmetimit të News24 është ndërprerë prej tre ditësh me ndërhyrje që denoncohen si të paligjshme dhe pa vendim gjyqësor të publikuar.
Gazetari Osman Stafa u shpreh në protestë se “News24, televizioni i parë informativ në Shqipëri prej 25 vitesh, po përballet me një goditje të paprecedentë. Gazetarët nuk kanë bërë asgjë që të meritojnë këtë trajtim me polici e ushtri, sikur të ishin kriminelë. Arma e gazetarit është vetëm mikrofon dhe kamera, dhe detyra e tyre është të denoncojnë korrupsionin dhe abuzimet.”
Ai theksoi se ndërhyrja ndodh pikërisht në një zonë ku do të instalohet një njësi prodhimi ushtarak, ndërsa ka dhjetëra e qindra fabrika dhe reparte të tjera ushtarake në vend që nuk preken, përveç News24 që nuk qëndron në linjën editoriale të qeverisë.
Kjo situatë është parë nga gazetarët dhe shoqëria civile si një sulm frontal ndaj lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik në Shqipëri. Protestuesit kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të gazetarëve në ambientet e punës dhe rifillimin e transmetimit të News24, duke dënuar ndërhyrjen arbitrare dhe të dhunshme të institucioneve shtetërore.
