Ish-deputetja Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për protestën e studentëve të disa viteve më parë, duke zbuluar rolin që sipas saj ka pasur Lëvizja Rinore për Integrim (LRI) në nismën e saj.
Kryemadhi deklaroi se protesta, e cila u kthye në një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të viteve të fundit, u iniciua nga të rinjtë e LRI-së në bashkëpunim me studentë dhe pedagogë.
“Protestën e studentëve e ka iniciuar LRI, unë së bashku me një grup studentësh dhe pedagogësh,” tha ajo.
Sipas ish-deputetes, ndërhyrja e Partisë Demokratike dhe strukturave të saj rinore ndryshoi rrjedhën e protestës.
“E prishi Lulzim Basha me një strukturë të FRPD,” shtoi Kryemadhi, duke theksuar se fillimisht protesta kishte karakter qytetar dhe paqësor.
Ajo kujtoi gjithashtu mënyrën se si qeveria reagoi në atë kohë ndaj përfshirjes së saj, duke iu referuar një fjalimi të kryeministrit Edi Rama.
“Shqiptarët e mbajnë mend atë protestë që ishte një protestë ku nuk u shkel as një lule dhe pati rezultat. E kanë harruar fjalimin e Ramës kur gjimnazet bojkotuan ai foli tre orë për mua dhe u thoshte prindërve pse lini fëmijët të merren me Monika Kryemadhin,” u shpreh ajo.
