Aktivisti Edison Lika nga tubimi i 44-të para Kryeministrisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos largohen me pushime këtë verë, por t’i bashkohen protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ai u shpreh se për 44 ditë qytetarët kanë përcjellë mesazhin se kërkojnë më shumë drejtësi, punë dhe një të ardhme më të mirë në vend.
Ai theksoi se qëllimi i protestës, sipas tij, është krijimi i kushteve që shqiptarët të mos detyrohen të largohen nga vendi. Në fjalën e tij, protestuesi bëri thirrje për bojkotimin e pushimeve dhe pjesëmarrje më të madhe në protestë. “Për 44 ditë ju i keni thënë kësaj qeverise se nuk doni vjedhje, doni paqe dhe më shumë punë. Mbi të gjitha për 44 ditë, ky sheshi ka treguar se i do vëllezërit dhe familjarët e tyre në Shqipëri. Ne nuk duam që të largohemi. Duam që të ndërtojmë të ardhmen tonë në Shqipëri. Jemi këtu për një Shqipëri të re. Për shqiptarët këtë vit nuk do të ketë pushime. Pushimet do të bëhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ndaj do të bëni pushime pjesën tjetër të jetës, por këtë vit, ju bëj thirrje; bojkotoni pushimet!”, tha ai.
